Pavarësisht kërcënimeve të Moskës për anëtarësimin e Finlandës në NATO, bazat ruse pranë kufirit finlandez janë praktikisht bosh pasi Rusia ka ridislokuar personelin ushtarak dhe pajisjet nga këto baza në Ukrainë.
Këtë e ka konfirmuar transmetuesi finlandez Yle – duke cituar burime brenda inteligjencës.

Madje thuhet se bazat ushtarake ruse në rajon janë shumë më të zbrazëta se sa ishin një vit më parë përgjatë kufirit me Finlandën.
“Mesatarisht, 80 për qind e pajisjeve dhe ushtarëve janë transferuar në luftën kundër Ukrainës”, raporton një burim në inteligjencën finlandeze.

Përqindja e trupave dhe pajisjeve të tërhequra ndryshon sipas bazës, dhe gjithashtu varet nga sezoni dhe ushtrimet ushtarake. Vetëm instruktorët dhe rekrutët e rinj kanë mbetur në baza – ushtarët me kontratë janë dërguar për të luftuar në Ukrainë.