Italia synon që këtë Europian të mbrojë statusin e Kampiones së Europës teksa do ta nisë rrugëtimin në Gjermani ndaj Shqipërisë së Sylvinhos, më datë 15 qershor.
Axurrët janë shortuar në Grupin B, ku përveç kuqezinjve bëjnë pjesë edhe Spanja me Kroacinë.
Një legjendë e trajningut italian si Arrigo Sacchi, thekson se ka vetëm një mënyrë që kombëtarja të shkojë larg në Europian. Sacchi shprehet se lojtarët duhet me patjetër të ndjekin urdhrat e trajnerit Luciano Spalletti për të pasur sukses.
“Besoj se mund të bëjmë më mirë se në të kaluarën, Italia vjen nga Botërorë ku nuk mori pjesë. Megjithatë, në mes është një Europian i fituar. Duhet të rikthejmë paksa intensitetin në ndeshje. Nëse lojtarët ndjekin Spallettin atëherë gjithçka do të shkojë mirë, përndryshe nuk do shkojmë shumë larg.
Spalletti është trajner inteligjent dhe duhet lënë që të punojë i qetë, ka treguar vlerat duke fituar titullin me Napolin me një 11-tëshe që ishte thuajse e panjohur. Dhe, ju lutem mos e karikoni me tepër seç duhet Scamaccan sepse do të shndërrohet në një problem, edhe Totti në kombëtare nuk arriti të ishte i madh si te Roma”, u shpreh Sacchi.