Shtetet e Bashkuara kritikuan sot ligjin e ri të Hungarisë për Sovranitetin, duke e quajtur atë antidemokratik pasi Zyra e Hungarisë për Mbrojtjen e Sovranitetit nisi një hetim kundër dy agjencive kundër korrupsionit.
“Përpjekja e qeverisë hungareze për të frikësuar dhe ndëshkuar organizatat e pavarura është në kundërshtim me parimet e qeverisjes demokratike të rrënjosura në sundimin e ligjit”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë, raporton Reuters.
Ligji, i cili u miratua në dhjetor 2023, ndalon financimin e huaj të partive apo grupeve që konkurrojnë në zgjedhje dhe shkeljet e ligjit dënohen me burgim deri në tre vjet, sipas Reuters.
Zyra për Mbrojtjen e Sovranitetit nisi të martën një hetim kundër organizatës hungareze kundër korrupsionit “Transparency International” (TI) dhe shtëpisë kërkimore online “Atlatszo.hu”, e cila fokusohet në korrupsion.
Ligji u kritikua nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si dhe nga ekspertë të së drejtës kushtetuese nga Këshilli i Evropës, të cilët vlerësuan se ai mund të ketë një “efekt ftohës” në debatin e lirë dhe demokratik në Hungari.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán mohoi akuzat për minimin e demokracisë pas miratimit të ligjit të lartpërmendur.