“As për një sekondë”. Olaf Scholz nuk e ka menduar të ndjekë shembullin e Emmanuel Macron për të çuar Gjermaninë në zgjedhje të parakohshme, ashtu siç ndodhi me Francën.
Zëdhënësi i qeverisë në Berlin, Stephen Hempstreit së fundmi ka përjashtuar mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht rezultatit të pafavorshëm zgjedhor për partitë në koalicionin qeverisës dhe në veçanti për Social Demokratët.
Hempstreit theksoi se Franca ka një sistem politik të ndryshëm dhe siguroi se shefi i qeverisë gjermane nuk po e mendon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, edhe pse Partia Social Demokrate (SPD) e kancelarit regjistroi performancën e saj më të keqe kombëtare që nga themelimi i saj një shekull më parë, me vetëm 13.9% të votave.
“Në Gjermani, Bundestagu i ardhshëm do të zgjidhet në vjeshtën e vitit 2025 dhe ne synojmë t’i përmbahemi kësaj”, tha ai.
Por nuk mendon kështu kryeministri i Bavarisë Markus Zender, njëherësh kreu i Unionit Kristian Social (CSU), një parti simotër e Unionit Kristian Demokrat (CDU).
Zender po i kërkon qeverisë gjermane ta ndjekë shembullin e Macron. Në një intervistë për televizionin gjerman, ai bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme në motorin e eurozonës pas disfatës poshtëruese të pësuar dje nga tre partitë e koalicionit qeverisës: Social Demokratët, Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë.
“Fakti është se socialdemokrati Olaf Scholz duhet të thërrasë zgjedhje të reja, si Macron”, tha Markus Zender, partia e të cilit së bashku me Kristian Demokratët (CDU) siguruan 30% të votave. Për kryeministrin e Bavarisë, rezultati i fortë elektoral i partisë ksenofobike anti-emigracion “Alternativa për Gjermaninë” vjen kryesisht për shkak të vrasjes së një polici në Mannheim, pak ditë para zgjedhjeve evropiane, nga një 25-vjeçar afgan. “Politika e azilit në Gjermani duhet patjetër të ndryshohet për të dobësuar partinë AfD, në mënyrë që partitë demokratike të marrin sërish më shumë vota”, theksoi Zender.