Evropiani i kuqezinjve të minifutbollit për fat të keq startoi me një humbje të hidhur, një humbje në limite që i nxjerr duar bosh nga sfida e parë kundër Bosnje Hercegovinës. Turneu më i rëndësishëm i minifutbollit dhuroi spektakël në sfidën e parë, me vendasit që kaluan në avantazh që në mimutën e 5-të. Shqipëria reagoi fuqishëm duke përmbysur shifrat brenda pak minutash. Në minutën e 7-të, Hysenbelliu me një goditje të fortë dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1 me 1. Kuqezinjtë nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 19-të Grori me një veprim fantastik, me finte, përmbysi rezultatin në 2 me 1 në favor të Shqipërisë.
Me këtë avantazh të rëndësishëm, kuqezinjtë iu drejtuan dhomës së zhveshjes. Fillimi i pjesës së dytë, rezultoi sërish fatal për kuqezinjtë, ku një keq vendosje në mbrojtje i lejoi Bosnjes të barazonte shifrat në 2 me 2. Dy ekipet tentuan deri në fund të gjenin golin e fitores, me vendasit që befasuan pikërisht në frymën e fundit, në minutën e 50-të, ku një goditje e fortë nga distanca u ndal në rrjetë duke bërë që vendasit të festonin pas fitores 3 me 2.