Kërkimi për turistët e zhdukur në Greqi është intensifikuar pasi temperaturat rriten në nivele kërcënuese për shëndetin. Vendasit në Greqi po paralajmërojnë turistët të mos e nënvlerësojnë vapën ekstreme, pasi një amerikan u bë turisti i pestë që u gjet i vdekur që nga fillimi i sezonit. Trupi i tij i pajetë u gjet të dielën, raporton Independent. Aktualisht, ekipet e kërkimit po kërkojnë në ishujt Sikinos dhe Amorgos për dy gra franceze dhe një burrë amerikan që u zhdukën javën e kaluar.
Kryebashkiaku i Sikinos tha se kërkimet për dy shtetaset franceze, të moshës 73 dhe 64 vjeçe, ishin “intensifikuar” pasi ato u zhdukën pasi shkuan në një shëtitje të premten.
“Ne kemi qenë jashtë gjatë gjithë mëngjesit duke kërkuar,” tha ai. “Vullnetarët nga Santorini erdhën, zjarrfikësit, policia, një qen i trajnuar posaçërisht kërkuan, por terreni është shkëmbor dhe plot lugina”. “Përpjekjet ishin të mëdha, por zona ku ato u zhdukën është e vështirë për t’u kërkuar dhe, për fat të keq, ne ende nuk i kemi gjetur,” shtoi ai.
Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë.