Ndaj Azerbajxhanit, në testin e final përpara startit të “Euro2024”, Sylvinho pritet të hedhë në fushë formacionin e tij më të mirë, kjo pasi në sytë e trajnerit, është një ndeshje në funksion të takimit të parë kundër Italisë. Pavarësisht se në konferencën për shtyp, Sylvinho u mjaftua duke theksuar se është i sigurt vetëm për Jasir Asanin titullar, është e qartë që trajneri do provojë formacionin që ka në mëndje, të paktën për një pjesë loje.
Prej disa ditësh, pas miqësores kundër Lihtenshtejnit, Sylvinho ka punuar me grupin e plotë, të gjithë lojtarët janë në dispozicion dhe në formë optimale. Në portë rikthehet Berisha, ndërsa në qendër kapiteni Berat Gjimshiti. Ismajli dhe Mitaj janë të paprekshëm ndërsa dilemë ka vetëm në krahun e djathtë, Hysaj apo Ivan Balliu. Në mesfushë rikthehet dyshja Asllani-Ramadani, të mbështetur pak më përpara nga Nedim Bajrami. Asani nuk preket në të djathtë të sulmit, ndërsa në të majtë rikthehet nga minuta e parë Taulant Seferi. Në qendër të sulmit, nga minuta e parë do të zbres sërish Armando Broja. Pas miqësores kundër Azerbajxhanit, më datën 8 qershor, Shqipëria do të niset për në Gjermani, si skuadra e parë që mbërrin për finalet e Euro 2024, për t’u akomoduar në kompleksin stërvitor , aty ku do të qëndrojë përgjatë gjithë turneut.