Tetë ministra të Jashtëm nga vendet e Bashkimit Europian i kanë dërguar një letër Përfaqësuesit të lartë të Unionit për Politikë të Jashtme Joseph Borrell ku kërkojnë që diplomatëve ruse tiu kufizohet lëvizja në bllokun 27 anëtarësh.
“Lëvizja e lirë e diplomatëve rusë të cilët janë të akredituar në një nga vendet e Unionit dhe udhëtojnë në të gjithë zonën Shengen po lehtësojnë kryerjen e aktiviteteve malinje nga Moska” thuhet në letrën drejtuar Borrell.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian po kërkojnë që diplomatëve rusë tiu lejohet lëvizja vetëm brenda shtetit ku janë të akredituar në misionet diplomatike.
Brukseli ka ngritur vazhdimisht shqetësimin mbi aktet e spiunazhit të Moskës ndaj vendeve anëtare të BE dhe mbi organizimin e sulmeve sabotuese në vende të ndryshme të Unionit.
Zemërimi i Moskës ndaj bllokut 27 anëtarësh është rritur përgjatë 2 viteve të fundit për shkak të mbështetjes miliarda euroshe që Brukseli zyrtar ka dhënë për mbrojtjen e Ukrainës nga lufta që Rusia nisi më 24 shkurt të vitit 2022.
Bashkimi Europian njoftoi përgjatë kësaj jave se do të përdorë asetet e ngrira Ruse për të ndihmuar financiarisht Ukrainën dhe rindërtimin e saj. Diçka e tillë ka acaruar Moskën e cila është shprehur se Bashkimi Europian synon përshkallëzimin e konfliktit në Europën Lindore.