Në prag të Europianit Gjermani 2024, por edhe reagimeve të shumta për listën e trajnerit Sylvinho, ka folur në një intervistë të fundit Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Më pak se dy javë nga ndeshja e parë ndaj Italisë, ai shprehet se, “atmosfera në ekip është shumë e rëndësishme dhe sigurisht që roli i trajnerit është që të krijojë këtë atmosferë dhe të bëjë tifozerinë të besojë te ekipi.”
Sa i përket listën, për Dukën çdo vendim të kishte marrë trajneri do të ishte kritikuar. “Çdo listë dhe çdo vendim ka diskutimet e veta. Trajneri dhe stafi bëjnë gjithmonë zgjedhjet objektive, por edhe subjektiviteti mbetet brenda, pasi është vlerësim në fund të fundit. Mund të jetë një futbollist me cilësi të mirë që mbetet jashtë listës, sepse ka lojtarë të tjerë në pozicionin e tij, nga ana tjetër mund të jetë në listë një futbollist me më pak kualitet, por sepse në pozicionin e tij ka më pak futbollistë”.
Më tej, ai zbulon edhe marrëdhënien me trajnerin brazilian, por edhe synimet në Europian. “Që nga momenti i ardhjes së Silvinjos nuk ishte askush që e kritikonte. I vetmi kritik i Silvinjos kam qenë unë, pas ndeshjes në Poloni, sepse mendova që nuk mund të mjaftohemi me humbje dinjitoze, por me fitore pragmatiste që na çojnë në Europian. Ekipi ka bërë performancë fantastike, ka dhuruar spektakël, golat e shënuar janë zgjedhur si golat më të mirë të javës nga UEFA. Kemi pasur edhe fat, por thonë që fati ndihmon më të mirët. Ne nuk jemi skuadër inferiore, jemi kualifikuar nga një grup që ka çuar tre ekipe në europian, pretendojmë të shkojmë lart, por nga çdo lloj rezultati ne fitojmë eksperiencë me ekipet e mëdha. Nga pikëpamja sportive, unë nuk mendoj se Italia është më lart se ne. I vetmi ndryshim që kemi është fanella, historia që Italia ka, pasi është kampione Europe në fuqi. Uroj të mos ndodhë e njëjta gjë si me Zvicrën në Euro 2016, ku kishim shumë emocione. Nëse ne do të arrijmë t’ia lëmë këtë emocion Italisë, unë mendoj që do t’a fillojmë mirë Kampionatin Europianin. Ndeshjet më të kërkuara për bileta janë sfida e parë e Europianit Gjermani – Zvicër dhe Itali – Shqipëri. E gjithë UEFA, qeveria italiane, qeveria shqiptare do jenë në stadium. Unë jam i sigurt që tifozët shqiptarë do të jenë më të shumtë se italianët në Dortmund. I vetmi armik i joni mund të jetë ngarkesa emocionale. Ne e kemi arritur suksesin, duhet ta jetojmë dhe menaxhojmë atë dhe duhet të performojmë njësoj si në ndeshjet kualifikuese. Unë jam krenar me këtë ekip, me tifozerinë dhe që jemi pjesë e Europianit. I kam kërkuar Silvinjos që pushimet të mos i bëjmë në det, por në Gjermani”, tha Duka.