Nuk e kanë kapërdirë fort lehtë tifozët e Kroacisë barazimin 2-2 me Shqipërinë në Volksparkstadion të Hamburgut. Të gjitha kritikat shkojnë për trajnerin e tyre Zlatko Daliç dhe për atë që para pak vitesh ishte treshja e artë e mesfushës, Kovaçiç – Modriç – Brozoviç. Pas ndeshjes, kombëtarja kroate ishte në depresion dhe zhgënjimin nuk e fshehu as Luka Modriç. “Do të bëjmë një analizë dhe do të shohim se çfarë duhet të rregullojmë. Jemi të sigurt se nuk jemi të kënaqur, do të duhet të ndryshojmë diçka.
Ne treguam se mund të rikthehemi nga një rezultat negativ dhe është turp që u tërhoqëm dhe lejuam Shqipërinë të krijojë raste dhe të shënojë gol. Ne jemi akoma pozitivë, gjithçka varet nga ne, ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe besoj se mund ta arrijmë në fund”, tha Modriç, i cili u acarua më pas nga një pyetje në spanjisht, të cilës refuzoi t’i përgjigjej duke thënë: “Hajde, ikim”. Pasi dolën nga stadiumi disa prej tifozëve kanë folur për mediat. Teksa kërkojnë një fitore ndaj Italisë për t’u kualifikuar në fazën e 1/8, mesazhi i dytë shkon për Daliç, të cilit i kërkojnë të lërë në pankinë Marcelo Brozoviçin, e pse jo dhe kapitenin Luka Modriç nëse nuk i përballon minutat.
“Ndeshja ishte një dështim klasik. Goli i parë, pastaj u kthyem me atmosferë dhe shënuam dy gola dhe asgjë, pastaj lëshim klasik, u shënua ai goli i dytë.
Duke shpresuar se Italia do të dështojë kundër Spanjës dhe se më pas Spanja do t’i shkatërrojë shqiptarët dhe disi do ta marrim atë vendin e tretë”, tha tifozi i identifikuar si Maroje. Një tifoz tjetër u shpreh se vendimi për të futur Sushiç në lojë ishte vendimtar për Kroacinë.
“Pjesa e parë ishte një katastrofë, pastaj Daliç e futi Sushiç. Kjo sigurisht që na dha epërsinë dhe u ngritëm pak. Në fund, Juranoviç ishte i drejtë te Hoxha dhe goli ynë i dytë mbeti në ajër, me meritë 2:2. Çfarë duhet bërë më pas? Ne do t’i mundim italianët, Daliç vetëm duhet të heqë dorë nga Modriç , Kovaçiç dhe Brozoviç së bashku”, tha Jan. Me bashkëkombësin e tij është dakord edhe Ante, i cili gjithashtu beson se treshja e famshme e mesfushës që i çoi deri në finalen e Botërorit duhet të ndahet.
“Ne ishim më mirë në pjesën e dytë. Zhgënjim, çfarë të them. Shkojmë në Itali për tre pikë, një fitore, asgjë nuk ka mbaruar, me tre pikë kalojmë. Ndryshimet? Është e vështirë të thuhet, ne jemi katër milionë, por Brozoviç duhet të fillojë patjetër nga pankina. Loja nisi kur ai doli jashtë.”