“Shumë prej ndryshimeve që u refuzuan në fillim, sot janë histori suksesi”. Kështu tha Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me socialistët e Njësisë 10 në kryeqytet. Veliaj shtoi se rruga “Myslym Shyri” në kryeqytet është shembulli më i mirë se si prona dhe bizneset po rriten falë vendimeve të drejta të marra nga bashkia.
“Shumë prej ndryshimeve që u kontestuan në fillim, siç ishte rruga e biçikletave te “Myslym Shyri”, sot janë kthyer në histori suksesi sepse është rritur volumi i ekonomisë dhe biznesit. Kur shikoj nga çdo kryqëzim i “Myslym Shyrit” se si është pasuruar jeta, i them vetes se për këtë e bëjmë këtë punë, që të ketë realitete që transformohen, që të ketë shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, ku njerëzit bëhen bashkë e nuk përçahen. Ndaj, sot jam vërtet krenar për atë që kemi bërë te rruga “Myslim Shyri”, sepse aty kemi prodhuar metaforën e përgjigjes se përse merremi me politikë. Merremi me politikë si instrument për ta ndryshuar atë realitet, që komuniteti të bëhet bashkë”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se Njësia 10 është zona që ka përfituar më shumë nga turizmi në Tiranë.
“”Myslym Shyri” është bërë shtëpia e madhe dhe hoteleria më e madhe e turizmit në Tiranë. Këtu vijnë çdo muaj 1 milionë turistë, do të thotë se kemi një dyfishim të popullsisë, do të thotë se pjesa më e madhe e shërbimeve që vijnë prej pastrimit, ndriçimit, amortizimi, vijnë në fakt si shtesë e numrit të turistëve. Njësia 10 sot ka trefishim të rritjes së vlerës së pronës, prej këtyre investimeve, prej këtij shërbimi, prej këtij pastrimi e ndriçimi. Është bekim i madh kur bën një shkollë që është si në Europë, që mësohet si në Europë, ku klasat janë me hapësirë si në Europë, ku laboratorët janë si në Europë”, deklaroi Veliaj.