Hungarezët votojnë sot për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për Parlamentin Evropian, në një zgjedhje që shumë e shohin si një referendum mbi popullaritetin e kryeministrit, Viktor Orbán.
Kjo vjen mes frikës se populistët e krahut të djathtë si Orbán kanë të ngjarë të fitojnë, gjë që mund të minojë aftësinë e bllokut më të madh tregtar në botë për të marrë vendime ndërsa lufta në Ukrainë është ndezur dhe ndjenja anti-emigrante janë rritur, raporton AP.
Orban ka shprehur tashmë shpresën se partitë në të gjithë Evropën që kundërshtojnë ofrimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën do të fitonin shumicën në legjislaturën e BE-së.
Hungaria do të marrë përsipër presidencën e radhës gjashtëmujore të BE-së në korrik.
Orban i cili është në krye të qeverisë hungareze për të pestën herë, ka hedhur votën e tij rreth orës 9:00 të mëngjesit në Budapest, duke u thënë gazetarëve se rezultatet e zgjedhjeve do të vendosnin nëse lufta e Rusisë në Ukrainë do të përfshijë Evropën.
“Sot ne duhet t’i fitojmë këto zgjedhje në Evropë. Janë zgjedhjet e para evropiane në jetën time ku shoh se ka një temë që përshkon pothuajse të gjitha vendet anëtare”, ka thënë ai duke iu referuar rolit që vendet e BE-së kanë luajtur që kur Rusia filloi operacionin e saj ushtarak kundër Ukrainës, në 2022.
“Ne do t’i interpretojmë rezultatet e zgjedhjeve sonte si njerëzit e Evropës që shprehin një mendim për luftën dhe paqen”, ka shtuar ai.
Partia qeverisëse e Orbanit “Fidesz” pritet të fitojë një numër të madh votash pas fushatës së madhe nga frika se lufta në Ukrainën fqinje mund të përshkallëzohet duke përfshirë drejtpërdrejt Hungarinë.
Ai ka fajësuar politikanët “pro luftës” në Ëashington dhe Bruksel për rritjen e tensioneve me Rusinë dhe e ka portretizuar refuzimin e tij për të furnizuar Kievin me ndihmë ushtarake dhe mbështetje të tjera si një pozicion “pro paqes” në Evropë.