Implikime të reja në tentativën për shantazh ndaj familjes së Michael Schumacher. Pas arrestimit të dy burrave (babë e bir) dhe një gruaje, hetimet për çështjen Schumacher janë zgjeruar dhe kanë çuar në arrestimin e një 52-vjeçari, i cili ka qenë pjesë e skuadrës së sigurisë së familjarëve të ish-kampionit të Formula 1.
Oficeri i sigurisë është arrestuar në Wuppertal të Gjermanisë, pasi hetuesit besojnë se ai ka punuar në prapaskenë me njerëz të tjerë për të kërcënuar familjen e Schumacher me publikimin e fotove të aksidentit të rëndë që ai pësoi në resortin e skive në vitin 2013. Sipas Bild, gjatë hetimeve nga organet kompetente ka rezultuar e qartë se shantazhuesit kanë shfrytëzuar ndihmën e një bashkëpunëtori që kishte “kontakte dhe njohuri për jetën private të familjes”.
Ish-oficeri i sigurisë që u arrestua është përgjegjës për dixhitalizimin e fotove private të familjes Schumacher, të cilat më pas ia dorëzonte dy të dyshuarve të tjerë. Me këto foto ka nisur më pas historia e shantazhit, me grupin që ka kërkuar rreth 15 milionë euro nga familjarët e ish-kampionit të Formula 1 për të mos i publikuar ato.