“Unë jam Areti, ai ka armë, do të më vrasë ”, këto kanë qenë fjalët e fundit që i ka thënë policisë 36-vjeçarja e cila u vra nga ish-bashkëshorti mëngjesin e sotëm në Greqi.
Mediat greke bëjnë me dije se ka qenë vetë gruaja ajo e cila ka lajmëruar policinë pasi ish-burri iu vu pas dhe po e kërcënonte se do ta vriste, dhe jo fqinjët.
“Viktima ka telefonuar në Drejtorinë përkatëse të Policisë duke denoncuar një kërcënim për jetën nga ish-bashkëshorti i saj, ndërsa telefonata ka përfunduar pa dhënë informacione kontakti dhe vendbanimi, vetëm emrin e saj”, thuhet në njoftimin policisë greke, duke shtuar se “menjëherë, një ekuipazh i makinës së patrullës u nis në banesën e saj, ndërsa në të njëjtën kohë bënte telefonata të përsëritura për të marrë informacione dhe udhëzime të mëtejshme, por askush nuk u përgjigj”.
Por edhe pse 36-vjeçarja u mundua të shmangte krimin, nuk arriti të shpëtonte, pasi policia mbërrit në vendngjarje kur ajo dhe ish-bashkëshorti tashmë ishin të vrarë.
“Brenda pak minutash efektivët kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë gjetur të plagosur për vdekje viktimën dhe bashkëshortin e saj. Njëkohësisht, nga të dhënat e thirrjeve të Drejtorisë së Policisë, nuk ka asnjë thirrje nga familjarët dhe miqtë e viktimës në Drejtorinë përkatëse të Policisë apo Veprimin e Menjëhershëm, për të denoncuar ngjarjen”, ka njoftuar policia greke.
Si ndodhi ngjarja
43-vjeçari ka marrë pushkën dhe ka shkuar në mes të natës në banesën ku jetonte ish-gruaja e tij me vajzën e tyre 13-vjeçare. Ndërsa djali i ish-çiftit ishte në shtëpinë e gjyshërve nga ana e të atit.
43-vjeçari, i cili kishte me vete një pushkë gjuetie, duke bërtitur dhe kërcënuar i tha ish-gruas së tij se nëse kthehej menjëherë në shtëpi do të vriste vajzën e tyre.
“Hajde, ose do të të vras” tha ai. Fëmija i frikësuar i kishte dërguar mesazh një fqinjeje dhe ajo kishte arritur ta nxirrte nga shtëpia duke mbyllur autorin brenda.
Ai vazhdoi në një furi kërcënimesh derisa 36-vjeçarja u kthye në shtëpi me makinë. Më pas, 43-vjeçari që nuk mundi të dilte nga shtëpia e mbyllur, u hodh nga ballkoni mbi kofanon e makinës dhe qëlloi ish-gruan pa u menduar nga xhami i përparmë i mjetit. Pasi vrau ish-gruan, 43-vjeçari qëlloi edhe veten.