Korporata amerikane e teknologjisë “Apple” paralajmëroi përdoruesit e “iPhone” në 98 vende të botës për sulme të mundshme të spyware.
“Apple ka zbuluar se ju jeni një objektiv i mundshëm i softuerit spyware që po përpiqet të komprometojë nga distanca iPhone-ët e lidhur me llogarinë tuaj Apple ID”, thuhet në një mesazh për disa klientë. Mesazhi më tej thotë se softueri synon përdoruesit sipas kritereve specifike dhe kjo është për shkak të aktiviteteve të tyre personale ose profesionale, raporton Tech Crunch.
“Siguria absolute në zbulimin e këtyre sulmeve nuk është e mundur, por Apple ka besim në këtë vlerësim dhe ju këshillon që ta merrni seriozisht paralajmërimin”, shtohet në deklaratë.
Kompania tha se nuk mund të zbulonte detaje të sulmeve sepse ato mund të përdoren nga sulmues të tjerë në të ardhmen, kështu që nuk dihet se në cilat vende është dërguar alarmi. Apple lëshoi më parë një paralajmërim të ngjashëm në prill për përdoruesit në 92 vende.
Duke filluar nga viti 2021, kompania me bazë në Cupertino ka dërguar rregullisht alarme sigurie për përdoruesit dhe deri më tani ka kontaktuar me klientët në 150 vende të botës.