Rusia është e inatosur me faktin se si ka mundësi që armët serbe kanë përfunduar në Ukrainë. Këtë e konfirmojnë mediat e Beogradit të cilat bëjnë të ditur se Presidenti Aleksander Vuçiç ka tentuar tre herë të komunikojë me Vladimir Putin, por ky i fundit nuk ia ka hapur telefonin.
“Vuçiç e ka telefonuar tri herë Putinin, por ai nuk ka dashur t’i përgjigjet”. Është një lloj mesazhi dhe të gjithë e kuptojnë shumë mirë. Ka pasur përpjekje për përmirësimin e komunikimit përmes Aleksandër Babakovit, nënkryetarit të Dumës së Shtetit të Rusisë, por nuk ka pasur sukses”, tha bashkëbiseduesi ynë”, shkruan media serbe nova.rs.
Një burim nga kreu i qeverisë ka thënë se zv.ministri i jashtëm rus, Aleksander Grushko, që vizitoi së fundmi Beogradin, ka anuluar detyrimet e dakorduara më parë duke ngritur pyetjen se si ka mundësi që armët serbe përfundojnë në frontin ukrainas.
Sipas burimit të Nova nga kreu i qeverisë, i ftuari nga Rusia nuk e ka pranuar argumentin se Serbia nuk ka ndikim se ku do të përfundojnë armët e saj pas shitjes së tyre.
Ndërkohë presidenti serb Vuçiç reagoi lidhur me shkrimin në median serbe duke thënë e marrëdhëniet me Moskën janë të mira.
Në një postim në Instagram, Vuçiç ka deklaruar gjithashtu se ka “marrëdhënie shumë të drejta me Rusinë”.
“Sa herë që Presidenti Putin shprehte dëshirën për të biseduar dhe takuar njeri-tjetrin, përgjigja ime ishte pozitive, sa herë që shpreha dëshirën për të folur me presidentin Putin, përgjigja e tij ishte pozitive”, ka shkruar Vuçiç.