Kristjan Asllani është padyshim një idhull dhe krenari për shumë shqiptarë për atë që po tregon me lojën e tij në radhët e Interit e sidomos Kombëtares kuqezi. Por krenarë për të ndjehen edhe italianët, pasi nuk duhet harruar se ai është rritur përtej Adriatikut. Sidomos banorët e komunës së vogël të Butit, ku u rrit mesfushori shqiptar.
Ndaj nuk është aspak rastësi që pikërisht Komuna e qytezës së vogël italiane në krahinën e Toskanës, ka organizuar një mbrëmje festive për mesfushorin shqiptar, i cili në vitin e fundit u shpall kampion me Interin në Serinë A, por edhe ishte protagonist në Euro 2024 me fanellën e Shqipërisë.
“Që nga periudha kur xhonglonte me topin në sheshin Garibaldi poshtë çadrës, deri te titulli kampion i Italisë 2023-2024 me fanellën e Interit dhe regjisor i Kombëtares shqiptare në Europianin Gjermani 2024. Kristjan Asllani ynë ka bërë shumë rrugë, por ka mbetur gjithmonë ai, i përulur dhe i edukuar, i lidhur me Butin tonë që do ta festojë të premten më 12 korrik në orën 22:15 në sheshin Garibaldi, para nisjes së tij për përgatitjet verore për kampionatin e Serisë A 2024-2025. Ju presim të gjithëve, por të gjithëve ama…”, shkruhej në njoftimin që Komuna e Butit ka vendosur për këtë mbrëmje festive që i kushtohet mesfushorit shqiptar.