Republikanët kanë shtuar presionin ndaj shefes së Shërbimit Sekret në SHBA , Kimberly Cheatle, pas dështimit për të parandaluar atentatin ndaj Donald Trump fundjavën e kaluar. Mbrojtja u cilësua e dështuar pasi dolën prova se personi i armatosur kishte ngjallur dyshime shumë kohë përpara se ai sulmoi ish-presidentin nga një çati. Edhe pse pranoi se duke qenë në ngarkim me mbrojtjen e ish presidentit, përgjegjësia përfundintare për incidentin e Donald Trumpit i takon agjencisë së drejtuar prej saj, shefja e Shërbimit sekret amerikan Kimberly Cheatle sërish tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Në një intervistë për rrjetin televiziv ‘ABC News’, Cheatle e theksoi se nuk planifikon largimin nga detyra dhe se agjencia që drejton do të vazhdojë të jetë transparente e të komunikojë me publikun. Shërbimi Sekret shprehu mbështetjen një ditë më parë për policinë lokale, mes breshërisë së kritikave të lidhura me sigurinë në tubimin elektoral të së shtunës të shtunën në Buttler të Pensilvanisë, ku një 20 vjeçar qëlloi me armë zjarri ndaj ish kreut të Shtëpisë së Bardhë, duke e ënduar në vesh. “U jemi thellësisht mirënjohës oficerëve që vrapuan drejt rrezikut për të gjetur personin e armatosur dhe të gjithë partnerëve tanë lokalë për angazhimin e tyre të palëkundur”, thuhej në një deklaratë të Shërbimit Sekret.
“Çdo lajm që sugjeron se Shërbimi Sekret fajëson strukturat lokale të zbatimit të ligjit mbi ngjarjen e së shtunës, thjesht nuk është i vërtetë”, theksohej aty. Zyrtarët megjithatë tani po kërkojnë të dinë se si një person i armatosur arriti të afrohej aq shumë e ngjitej në majë të një ndërtese nga ku të qëllonte ish-presidentin, teksa dëshmitarë në vendngjarje kishin bërtitur në drejtim të punonjësve të sigurisë duke i treguar me gisht personin e dyshimtë mbi çati.