Këshilli i Bashkimit Europian ka vendosur t’ua heq vizat serbëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë. BE-ja njoftoi se miratimi i rregullores së re anulon “përjashtimin që aplikohej më herët”, raporton Gazeta Express.
“Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit e Serbisë”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Blloku njofton se vendimi do të zbatohet pasi të hyjë në fuqi (në ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së).
Në fund të deklaratës së BE-së thuhet se “nga dhjetori i vitit 2009, mbajtësit e pasaportave biometrike serbe ishin të përjashtuar nga kërkesa për vizë kur udhëtonin në zonën Schengen”.
Komisioni Europian kishte propozuar heqjen e vizave për poseduesit e këtyre pasaportave në nëntor të vitit të kaluar dhe këtë e mbështeti edhe Parlamenti Europian në prill të këtij viti, përkundër kundërshtimit nga Kosova.
Kosova nuk i njeh pasaportat që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës dhe poseduesit e tyre nuk mund të udhëtojnë me to nga aeroporti i Prishtinës.