Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se “ekstremizmi” në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara është duke minuar besimin publik në këtë institucion, dhe i ka bërë thirrje Kongresit që të përcaktojë afate kohore në mandate, dhe të fuqizojë një kod etike për nëntë gjyqtarët e kësaj gjykate.
Ai, po ashtu, u ka bërë thirrje ligjvënësve që të ratifikojnë një ndryshim kushtetues që kufizon imunitetin presidencial.
Biden, të cilit i kanë mbetur më pak se gjashtë muaj në Shtëpinë e Bardhë, i ka bërë këto deklarata në një librari presidenciale në Austin të Teksasit, për të shënuar 60-vjetorin e Aktit për Liri Civile.
Thirrjet e tij për ndryshime dramatike në gjykatë kanë pak mundësi të miratohen nga Kongresi thellësisht i ndarë, vetëm 99 ditë para ditës së zgjedhjeve presidenciale.
Megjithatë, demokratët besojnë se këto kërkesa do t’i bëjnë votuesit që të fokusohen në prioritete.
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, e cila ka mundësi të jetë e nominuara e demokratëve për garën presidenciale, po përpiqet të portretizojë veten në garën kundër republikanit, Donald Trump si “zgjedhje në mes të lirisë dhe kaosit”.
Ajo gëzon edhe përkrahjen e Bidenit në garën për presidente të SHBA-së.
“Ekstremizmi është duke minuar besimin publik në vendimet e gjykatës”, ka thënë Biden.
“Ne mundemi, dhe ne duhet ta parandalojmë abuzimin e fuqisë presidenciale, dhe të rikthejmë besimin në Gjykatën Supreme”.
Shtëpia e Bardhë është përfshirë në zemërimin në rritje të demokratëve për Gjykatën Supreme, e cila ka shumicë të konservatorëve – gjashtë të tillë – dhe ka lëshuar opinione që kanë përmbysur vendime historike, sikurse ai për të drejtat e abortit.
Harris ka thënë përmes një deklarate se reformat e propozuara janë të nevojshme, sepse “ekziston një krizë e qartë në besimin që lidhet me Gjykatën Supreme”.
Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani, Mike Johnson, e ka quajtur propozimin si të “rrezikshëm” dhe që dokumenti do të ishte i vdekur sapo të dërgohej në institucionin që drejton ai.
Trump i ka hedhur poshtë propozimet dhe i ka konsideruar “mashtrime tipike të Bidenit”.
“Nuk do të shkojnë askund. Edhe ai vetë e di këtë”, ka thënë Trump në një intervistë për Fox News.
Biden kërkon që të mos ketë emërime të përjetshme për gjyqtarët në Gjykatën Supreme.
Ai beson se Kongresi duhet të miratojë një legjislacion për të krijuar një sistem që presidenti amerikan do të emëronte një gjyqtar çdo dy vjet, me mundësi të shërbimit për 18 vjet në gjykatë.
Sipas tij, mandatet me afate do të garantonin ndryshim në përbërjen e gjykatës dhe do të “zvogëloheshin mundësitë që një president të ketë ndikim në gjeneratat e ardhshme”.
Ai ka kërkuar që Kongresi të miratojë edhe një kod etike për gjyqtarët, që ata t’i bëjnë publike dhuratat, të përmbahen prej aktivitetit politik publik dhe të përjashtohen prej rasteve, në të cilat ata apo bashkëshortët e tyre, kanë konflikte interesi apo konflikte tjera.
Biden i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë edhe ndryshime kushtetuese për të rrëzuar një vendim të Gjykatës Supreme, i cili parasheh se ish-presidentët amerikanë kanë imunitet nga përndjekja ligjore.
“Ky komb është krijuar mbi parimin se nuk ka mbretër në Amerikë”, ka thënë Biden.
“Të gjithë ne jemi të barabartë para ligjit. Askush nuk është mbi ligjin. Në praktikë, vendimi i gjykatës pothuajse qartë nënkupton që presidenti mund të shkelë betimin dhe të mos përballet me pasoja”.
Shumica e amerikanëve përkrahin një mënyrë për të kufizuar mandatin e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, sipas një sondazhi të kryer në gusht të vitit 2023 nga AP-NORC.
Dy të tretat e respodentëve kanë thënë se gjyqtarëve të Gjykatës Supreme duhet t’iu kërkohet të pensionohen në një moshë të caktuar.
Demokratët janë më të prirur të kërkojnë pensionimin e gjyqtarëve, 77 për qind, në krahasim me republikanët, 61 për qind. /