Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës ka reaguar këtë të hënë në lidhje me incidentin e rëndë të regjistruar pak ditë më parë në ambientet e Fakultetit ku pedagogu Mirdaim Axhami goditi me grusht në fytyrë kolegen Liljana Elmazi Billa. Në një reagim zyrtar Dekanati është distancuar nga dhuna ndërsa e ka dënuar aktin e rëndë në ambientet ku studentët shkojnë për tu arsimuar. Dekanati shprehet se ky incident është i shkëputur dhe nuk cënon integritetin e institucionit.
Reagimi:
Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës në mbledhjen e datës 08. 07. 2024, ora 09:30, dënoi dhunën e ushtruar në incidentin e ndodhur brenda ambjenteve të Fakultetit në datën 05. 07. 2024. Dekanati i Fakultetit mbështet deklaratën zyrtare të strukturave drejtuese të Universitetit të Tiranës për ngjarjen e ndodhur mes dy kolegëve të FE-UT, (bashkëngjitur deklarata).
Deknati i Fakultetit të Ekonomisë UT sqaron opinionin publik se ky incident është i shkëputur dhe nuk cënon integritetin e institucionit tonë. FE-UT është Fakulteti me standartin më të lartë dhe më cilësor falë stafit akademik mjaft të kualifikuar dhe studentëve të vet.
Garantojmë çdo maturant që do të aplikojë dhe çdo student se në Fakultetin e Ekonomisë, UT do të gjejë si gjithmonë një staf akademik të përkushtuar, që i zhvillon të gjitha proceset me standarte të larta dhe me integritet të plotë profesional dhe etik. Është puna e përkushtuar e pedagogëve tanë që u garanton çdo vit studentëve më të mirë të vendit, që zgjedhin Fakultetin e Ekonomisë, një shkollim dinjitoz, që i pajis ata me dije dhe edukim të shëndetshëm që i shoqëron kudo gjatë gjithë jetës.
Një skandal i paprecedentë ka ndodhur të premten në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, ku përgjegjësi i departamentit të Marketingut, Mirdaim Axhami ka goditur me grusht në fytyrë pedagogen Liljana Elmazi. Ngjarja ka ndodhur në korridoret e fakultetit, ndërsa policia bëri të mundur arrestimin e Axhamit. Burime i thanë ZËRI-t se përplasjet mes dy kolegëve kanë qenë të vazhdueshme, ndërkohë që Elmazi e kishte denoncuar dhe më herët Axhamin për përndjekje, por ndaj tij nuk ishte marrë asnjë masë.
Pedagogia, e cila ka marrë një grusht në fytyrë është dërguar në ambientet e spitalit ku dhe ka marrë ndihmën mjekësore. Rasti i dhunës ndaj saj është dënuar dhe nga Partia Demokratike përmes një deklarate, pasi Elmazi është ish-deputete në Kuvendin e Shqipërisë dhe një aktiviste e hershme e kësaj force politike. Nga ana tjetër, Axhami përveç se pedagog, është dhe një personazh e figurë publike, të cilin e kemi parë shpesh dhe në studiot televizive. Vetëm pak muaj më parë, ai do të ishte pjesë e një tjetër incidenti me kolegët e tij, këtë herë përmes një komunikimi në grupin e punës në WhatsAPP.