Kristjan Asllani do pritet me festë në Buti, një provincë pranë Pizës, aty ku është rritur. 12 korriku do të jetë një ditë feste për mesfushorin e Kombëtares që do të rikthehet në vendin ku ka jetuar prej vitesh.
Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, Provinca e Butit shkruan se është gati të mirëpresë Asllanin dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve që jetojnë aty të jenë të pranishëm.
“Që nga ditët kur luante me top nën tendat e Piazza Garibaldi te kampion Italie në vitin 2023/24 me Interin dhe dirigjent i Kombëtares shqiptare në Eorpianin Gjermani 2024. Kristjan Asllani ynë ka bërë një rrugë të gjatë, por ka mbetur gjithmonë i njëjti, modest dhe i sjellshëm, i lidhur me Butin tonë, i cili do ta festojë të premten e 12 korrikut në orën 22:15 në Piazza Garibaldi para rinisjes së tij për përgatitjen e verës në funksion të sezonit të Serisë A 2024/25. Ju presim të gjithëve, absolutisht të gjithëve”, shkruan Provinca Buti në Facebook.
Kujtojmë se Kristjan Asllani lindi në Elbasan, Shqipëri, më 9 mars 2002 , por në moshën 2 vjeçare u zhvendos me familjen në Itali, duke u vendosur në Buti, në provincën e Pizës.