11 Korriku shënon Ditën Botërore të Popullsisë. Duke parë në mënyrë analitike të të gjithë peizazhit demografik të Evropës Lindore, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) ka theksuar nevojën e përballimit nga autoritetet qeverisëse dhe të institucioneve ndërkombëtare ndryshimet e popullsisë që kanë pësuar vendet në Europë por edhe më gjerë. Analiza për popullsinë tregon se Evropa Lindore po përjeton tendenca të dukshme demografike të rënies së numrit të lindjeve, plakjen e popullsisë dhe rritjen e flukseve të migracionit.
Të gjitha këto ndryshime janë në vetvete sfida thelbësore për qeveritë, komunitetet dhe politikëbërësit pasi situata reflekton plakje të popullsisë dhe rënie të fuqisë punëtore. Kjo do të thotë që popullsia në plakje rrit kërkesën për kujdes të shtuar shëndetësor dhe zgjerimin e shërbimeve sociale për moshën e tretë. Në anën tjetër, emigracioni nxit nevojën për shtimin e kapaciteteve pritëse, aksesimin e shërbimeve dhe në anën tjetër integrimin e tyre në komunitet.
Gjatë një tryeze diskutimi të mbajtur në Stamboll, Turqi Florence Bauer, Drejtoreshë Rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore u shpreh se: “Ndryshimet e popullsisë që po përjeton rajoni janë reale dhe efektet e tyre kërkojnë përgjigje urgjente, por nuk ka asnjë arsye për panik. Qeveritë mund të bëjnë diçka për të zbutur efektet negative dhe për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë që vijnë edhe me ndryshimet demografike”.
Në të gjithë Evropën Lindore dhe Juglindore, normat e lindshmërisë janë të ulëta, përgjithësisht midis 1.3 dhe 1.8 fëmijë për grua. Gjithashtu, Shqipëria nuk i ka shpëtuar tkurrjes së popullsisë që mesa duke është një fenomen i pashmangshëm i ndryshimeve demografike në mbarë botën.
Sipas rezultateve të Censit të Popullsisë të prezantuara nga INSTAT(Qershor 2024), Shqipëria rezultoi me 2,412,113 banorë, me rënie 13.8% krahasuar me Censin e vitit 2011. Po referuar Censit të Popullsisë, lindshmëria ka pësuar rënie dhe tashmë madhësia e familjeve shqiptare mesatarisht është 3.2 anëtarë për familje.
Përsa i takon uljes së lindshmërisë, drejtuesja Rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore ka një tjetër opinion duke mos e lidhur drejtëpërdrejtë këtë fakt me kërkesën e grave për të lindur më pak fëmijë por si një nevojë urgjente e qeverisjeve për të mbështetur familjet në nevojë, nënat e reja, nxitjen e punësimit dhe arsimimit e tyre.
“Ne shohim pothuajse në të gjitha vendet e rajonit që çiftet thonë se duan më shumë fëmijë sesa kanë. Ky hendek – midis synimeve të fertilitetit të grave dhe lindjet reale është hapësira që qeveritë duhet të bëjnë ndryshim për të ndryshuar këtë raport. Qeveritë mund të zgjerojnë politikat mbështetëse të familjes duke përfshirë kujdesin për fëmijët, të ulin diskriminimin gjinor, të forcojnë kujdesin ndaj problematikave sociale. Pavarësisht kësaj, në fund të fundit, vendimi për të pasur fëmijë varet nga çiftet dhe qeveritë duhet të fokusohen në mbështetjen e zgjedhjeve të tyre në vend që t’i diktojnë ato”- u shpreh Znj Bauer. Politikat gjithëpërfshirëse që në këtë rast do të vinin si një “kundërpërgjigje” ndaj ndryshmeve demografike lidhen me:
Promovimi i barazisë gjinore;
Mbështetja e familjeve;
Integrimi i migrantëve, jo vetëm strehimi i tyre;
Investimi në shëndetësi dhe arsim.
UNFPA po punon me qeveritë në të gjithë rajonin për të rritur kapacitetet për trajtimin e ndryshimeve demografike në një mënyrë gjithëpërfshirëse, bazuar në prova dhe në përputhje me të drejtat e njeriut dhe parimet e barazisë gjinore. Programi i Rezistencës Demografike është i strukturuar rreth katër shtyllave: politika, kapitali njerëzor, reforma e sistemit dhe mbështetja publike.
Dita Botërore e Popullsisë është themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e popullsisë dhe është shënuar që nga viti 1990.
UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, është agjencia e OKB-së për shëndetin seksual dhe riprodhues. Misioni i saj është të krijojë një botë ku çdo shtatzëni është e dëshiruar, çdo lindje e fëmijës është e sigurt dhe potenciali i çdo të riu përmbushet.