Nga Mero Baze/
Mënyra se si Presidenti Trump, dhe politika amerikane reagoi pas sulmit barbar mbi të, tregon fuqinë reale të SHBA dhe rrezikun që vjen nga gjuha e urrejtjes në politikë.
Fjalitë e para që shqiptoi njeriu që mund të ishte i vdekur, një minutë më parë, ishte falënderimi ndaj shërbimit sekret të SHBA dhe FBI për reagimin e shpejtë dhe neutralizimin e agresorit.
Më pas do të ketë plot komente dhe vlerësime për punën e tyre. Ato ndoshta dhe nuk e kanë bërë atë si duhet, ose e kanë bërë më mirë se sa i gjykojmë ne, por në atë moment ka shumë rëndësi reagimi i atij ndaj të cilit u krye atentati. Dhe Reagimi i Donald Trump, ishte bashkues, dhe pro shtetit amerikan.
Lartësimi i institucioneve të sigurisë, nuk vlen për t’i shpëtuar analizës së punës së tyre, por vlen për të lartësuar institucionet e shtetit amerikan, pa i përbaltur apo paragjykuar ato, për shkak të atentatit barbar.
Për të gjithë ata që duan të bëjnë krahasime me Shqipërinë, edhe pse nuk ka ndonjë rast që i ngjan, sa herë që ka pasur atentate të dështuara apo të suksesshme ndaj politikës, gjithmonë është akuzuar kundërshtari politik dhe policia e shtetit.
Madje dhe në rastin e fundit banal kur një i çmendur goditi Sali Berishën me grusht, edhe pse gjithçka ishte e qartë, akuza ishte se atentatin e organizoi kryepolici Ardi Veliu.
Mesazhi i dytë i fort ishte reagimi i kundërshtarit të tij politik, biseda telefonike private dhe mesazhet bashkuese në publik, që në atë moment shumë delikat, nuk thellojnë ndarjen dhe urrejtjen politike, por synojnë afrimin dhe qetësinë për qytetarët e vendit.
Edhe këtu nuk është vendi të bëhet krahasimi me Shqipërinë, por nuk mund të harrohet që sa herë kanë ndodhur atentatet, apo sulme të ngjashme të papërgjegjshme, i akuzuari kryesor ka qenë kundërshtari politik. Madje i linçuar publikisht.
Mos të harrojmë se si Fatos Nano, u deklarua vrasës pesë minuta pas vrasjes së Azem Hajdarit, dhe 5 vjet më vonë ftohej në festën e PD si i mysafir nderi nga i njëjti njeri që e akuzoi për nevoja politike, duke i vënë për pak flakën vendit.
Keqpërdorimi i barbarive të tilla për të frymëzuar urrejtje politike, është vazhdim i veprës së vrasësit, dhe kjo tek ne ka ndodhur rregullisht.
Së fundmi tani që njihet profili i vrasësit të tij, është e qartë që jemi përballë pasojave të gjuhës së urrejtjes dhe indoktrinonit të ekstremistëve , të cilët frymëzohen nga gjuha e urrejtjes.
Në SHBA, ekstremistët e majtë dhe ata të djathtë, janë gatshëm për akte të tilla, por ata nuk janë heronjtë e Amerikës në sytë e opinionit publik, por të përbuzurit e saj. Një shoqëri e emancipuar bashkohet për t’i përbuzur ato dhe jo për t’i lartësuar apo shpërblyer “atentatorët” si heronj, apo për të justifikuar aktet e tyre.
Donald Trumpin e shpëtoi Zoti, por me gjestin e tij dhe reagimin pas sulmit barbar ai shpëtoi SHBA, duke dëshmuar se ai e meriton ta udhëheqë atë.