Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një prononcim për media, pas përfundimit të seancës së sotme në Kuvendi, komentoi emërimet e ministrave të rij. Në fjalën e tij, para gazetarëve jashtë Kuvendit, Bardhi tha se emrat e rinj janë anonimë dhe të diktuar nga krimi i organizuar. Sa i përket emërimit të Elisa Spiropalit si kryeparlamentare. Bardhi u shpreh se nuk ka rëndësi se kush emërohet në krye të Kuvendit, pasi sipas tij Kuvendi drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

“Individë anonimë sot u komanduan. Madje dhe kryetari i ri i grupit tha publikisht që nuk e njihte ministrin e Financave. Ata i njeh krimi i organizuar. Padyshim për ne nuk bën asnjë dallim se kush është në krye të Kuvendit, janë të dyja njëlloj, në krye të Kuvendit është Edi Rama. Do vijojnë dhunimin e Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit. Ne kafe dhe ujë nuk pijmë tek zyra e kryeparlamentares. Sa herë ne duhet të jemi aty për interes të publikut dhe të shoqërisë do të jemi aty,”-tha në fjalën e tij Gazment Bardhi.