Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dënonte sot atë që quante “imoralitet” të shfaqur gjerësisht në ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike Paris 2024.

Ashtu si shumë organizata të tjera botërore kristiane dhe fetare në përgjithësi, Erdogan kritikonte atë që quante “imoralitet ndaj kristianëve” duke shtuar se do të telefononte Papën për të diskutuar debatin.

Në një prej skenave më të kontestuara të ceremonisë shiheshin kërcimtarë e transseksualë të vendosur sipas portretit të Darkës së Fundit të Krishtit me apostujt e tij.

“Ajo që u bë në Paris ishte një plan për uljen e njerëzve në nivel… një nivel më poshtë se kafshët”, tha Erdogan.

Ndërkohë disa sponsorë të Lojrave Olimpike me lidhje kristiane janë tërhequr nga eventi prej referencave sataniste apo anti-kristiane.

Organizatorët thanë se ata kërkonin të përshkruanin ‘një darkë pagane pa dashur të ofendojnë asnjeri’, por shumë grupe, përfshi dhe ish-presidentin Donald Trump e dënuan shfaqjen si një parodi ofenduese.

“Do të telefonoj sa më shpejt Papën për të parë mendimin e tij mbi imoralitetin e kryer ndaj botës kristiane dhe të gjithë kristianëve”, tha më tej Erdogan në takimin e e partisë së tij konservatore AKP.

“Lojrat Olimpike po përdoren si një mjet pervers për të korruptuar natyrën njerëzore”, tha presidenti.

Erdogan shtoi se ishte ftuar dhe do të kishte shkuar në ceremoni, por mbesa e tij e kishte paralajmëruar se do të kishte një event LGBT.

“A mund të imagjinoni një event botëror sporti që supozohet të bashkojë njerëzit, të hapet me një armiqësi të tillë ndaj vlerave të njerëzimit? Ajo që u bë në Paris kishte si qëllim të vendoste njeriun në nivel më të ulët se kafshët”, tha ai, shkruan rrjeti francez AFP.