Nga Çapajev Gjokutaj
Më mbeti në mendje një ngjarje që e ndesha këto ditë, s’di se ku.
Nipi vejn me pushime në Shqipëri dhe shkon të vizitojë gjyshen në një fshat gjysëm të shkretë.
Iu dhimbs e ëmta, që mezi merrte frymë nga vapa, ndaj zbriti në qytet, bleu një kondicioner, mori me vete dy teknikë dhe u kthye ta instalonin.
Gjyshja, megjithse vuante nga tensioni dhe kishte probleme ekuilibri, u ngrit rraka zhdraka, shkoi në kotec, kapi një pulë, e theri, e ropi dhe u vu ta gatuante.
Herë pas here plakës së gjorë i merreshin këmbët dhe mbahej nga orenditë. Teknikët më se një herë e lutën të mos shqetësohej se instalimi nuk do zgjaste shumë dhe dreka do i zinte në qytet.
I nipi, kur një çast mbeti vetëm me të ëmtën, i tha se kohët kishin ndryshuar, dikur ustallarëve u shërbehej dreka, por tani kjo përfshihet tek çmimi.
Gjer më sot, ia ktheu gjyshja, nga kjo shtëpi nuk ka dalë mysafir pa drekë.
Kur e lexova ndodhinë e mësipërme, shpejt e shpejt e pa menduar gjatë gjykova: robinjë e zakonit, si shumica e të moshurve.
Por më pas, kur s’di pse ndodhia m’u kujtua sërish, e shpjegova sforcon e plakës me gëzimin nga ardhja e nipit, me përkëdheljen që ka ndjerë në sedër kur pa se djaloshi harxhoi kohë e pare që ajo të kishte fresk.
Ashtu e vlerësuar, mes dashurisë dhe përkujdesjes mori fuqi që të bënte drekën, të kënaqte miqtë e të nderonte nipin.
Po ku ta dish që thellë thellë e moshuara nuk po bënte një përpjekje për t’i dëshmuar vetes se s’qe aq plakë sa të dergjej në krevat dhe tani, me freskinë e kondicionerit do të bëhej mirë e do gëzonte sa të mundej.
Por mund ta kenë shtyrë edhe motive të tjera, që mbase edhe ajo vetë nuk i shquante.
Më erdhi dhe një herë në mendje përcaktimi ‘robinjë e zakonit’ dhe për t’u hakmarrë ia ktheva vetes: rob i klisheve pseudo intelektuale.