Pavarësisht se u mundën me rezultatin e thellë, 4 me 1, nga “gjigantët” e Spanjës, “Kryqtarët” e Gjeorgjisë, me lojën e tyre të bukur dhe presingun e lartë, mahnitën jo pak tifozët, në Kampionatin Evropian të futbollit, Euro 2024, mirëpo për teknikun e tyre, Willy Sagnol, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe dhe në humbjen ndaj “Iberikëve”.
Gjeorgjianët kaluan të parët në avantazh pas autogolit të Le Normand, por u barazuan pa mbyllur pjesa e parë nga Rodri. Një gol që shkaktoi diskutime pasi topi kaloi pranë “bomberit” Alvaro Morata, i cili ishte në pozicion jashtë loje dhe mund të ndikonte në fushëpamjen e portierit Mamardashvili. Sistemi VAR ndërhyri dhe e kontrolloi këtë moment, teksa në fund u vendos që goli të akordohej.
Pikërisht, ky episod nuk e lë të qetë teknikun francez të “Kryqtarëve”, Willy Sagnol i cili pas eliminimit theksoi se goli i Rodrit duhej anuluar, teksa më tej shtoi se gjatë këtij Evropiani janë anuluar gola të ngjashëm, por jo në këtë rast nuk ndodhi e për të mbyllur gjithçka u shpreh se sistemi VAR nuk po përdoret ashtu siç duhet.
“Ishte një pozicion i qartë jashtë loje. VAR është një instrument i shkëlqyer, problemi është se nuk dinë ta përdorin siç duhet. Nuk e kuptoj përse goli i parë i Spanjës nuk u anulua për pozicion jashtë loje. Më këtë Europian ka ndodhur që janë anuluar gola të ngjashëm, nuk më pëlqeu ajo që ndodhi. VAR nuk po përdoret mirë dhe në fund e paguajmë ne”,- u shpreh Sagnol.