Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me ardhjen në pushtet të kësaj Qeverie e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, krimineli Milan Radojiçiç është kthyer në një “figurë të fuqishme”, derisa e ka akuzuar Kurtin se është “njeri i Serbisë”.
“Radojiçiçi ka ikur prej Kosovës në kohën e qeverisjes time, i ka shkuar policia për ta arrestuar dhe nuk e kanë ka gjetur aty dhe nuk është kthyer më. Gjatë qeverisjes sime, Lista Serbe dhe Radojçiçi kanë qenë shumë të kujdesshëm në veprimet e tyre. Me ardhjen e Kurtit në qeverisje, Radojçiçi u kthye në faktor të fuqishëm dhe kërcënues për Kosovën”, tha Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online.
Tutje, ai foli edhe për vrasjen e Faton Hajrizit në Serbi, duke potencuar se më shumë “të këqija” i ka bërë Kosovës, Albin Kurti sesa Hajrizi që u vra nga policia serbe më 19 korrik pasi kishte vrarë një polic serb dhe pati plagosur një tjetër në Loznicë të Serbisë.
“Kurti është njeri është i Serbisë, punët e tij nuk janë në favor të Kosovës por të Serbisë; e dobëson shumë Kosovën dhe e forcon shumë interesin e Serbisë dhe grupet që rrezikojnë. Këtë e bënë me agjendë, sepse e ka detyrë. Unë mendoj që shumë më shumë të këqija i bën Albini Kosovës, sesa Faton Hajrizi”, ka shtuar kreu i AAK-së.
Por, kjo nuk është hera e parë që Haradinaj e akuzon kreun e ekzekutivit kosovar për “tradhti” ndaj interesave kombëtare të Kosovës. Në fillim të këtij muaji, Haradinaj, në një intervistë për televizionin T7, ka akuzuar rëndë kryeministrin, duke insistuar se ai i shërben agjendës serbo-ruse.
“Kurti dhe një pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë shërbëtorë të Serbisë e Rusisë”, pati theksuar Haradinaj. Megjithatë, akuzave të Haradinajt deri më tani nuk i është përgjigjur asnjëherë kryeministri Ablin Kurti.