Miku i ngushtë i Pal Trashaj, personit që i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë përpara dyerve të SPAK, ishte i ftuar këtë të shtunë në emisionin “Review”, ku zbuloi detaje nga arsyeja pse shoku i tij i dha fund jetës.
– Advertisement –
Marçel Laçaj deklaroi se Pali kishte kohë që po zhvatej nga kompanitë e mikrokredive pas marrjes së një huaje disa vite më parë dhe problemin e tij e kishte denoncuar dhe në organet kompetente e media.
Ai tha se zhgënjimi i madh i mikut të tij ka ardhur në momentin kur muk ka marrë zgjidhje as nga Prokuroria e Posaçme të cilës ai i besonte.
“Di që ka marrë një kredi dhe që i kanë bërë lojra që t’i marrin lekë. Më tha që ka marrë një kredi, por ata janë duke abuzuar. Nuk e pyetja as unë imtësisht, pasi kur e pyet imtësisht nuk e kuron plagën, por e godet aty.
Kishte mllef se shkonte në shkallë të ndryshme të gjykatave se nuk gjente drejtësi. Fakti që ka shkuar në SPAK, ka menduar se problemi do t’i zgjidhej menjëherë. Shqetësimi është akumuluar aq shumë sa fatkeqësisht për familjen dhe miqtë bëri një veprim që nuk duhet ta bënte. Kur ka shkuar te pika kulmore e drejtësisë, te SPAK, që ka menduar se do të gjente zgjidhjen, nuk e ka gjetur dhe ndaj i ka dhënë fund jetës”, tha ai.
Miku i Pal Trashaj zbuloi dhe bisedën e zhvilluar me të ditën e ngjarjes. Sipas tij Pali dukej në gjendje të mirë dhe i komunikoi se ndodhej në SPAK, ku besonte se problemi i tij me kredinë do të zgjidhej atë ditë.
“Për herë të fundit kam folur rreth orës 10 e gjysmë të ditës së ngjarjes dhe nuk kam arritur të kuptoj se mund të shkonte deri këtu. Më tha se “jam te SPAK-u për problemin tim, jam drejt zgjidhjes”. Unë i thashë, “zoti të ndimoftë, ta priftë mbarë dhe takohemi pasdite”. U trondita shumë kur e mora vesh dhe nuk e besoj as sot”, tha ai.