Ish-Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka deklaruar se Moska duhet të punojë drejt “zhdukjes” së Ukrainës dhe NATO-s. Sipas mediave të huaja, deklaratat e tij vijnë pas një premtimi të NATO-s për të mbështetur Kievin në “rrugën e tij të pakthyeshme” drejt anëtarësimit në aleancë. Medvedev tha se përfundimi “i qartë” ishte që Rusia “të bënte gjithçka që ‘rruga e pakthyeshme’ e Kievit drejt NATO-s të përfundojë me zhdukjen e Ukrainës ose zhdukjen e NATO-s”. Ai shtoi gjithashtu se zhdukja e të dyjave bashkë, Ukrainës dhe NATO-s do të ishte “edhe më mirë”.
Medvedev është bërë një nga ‘skifterët’ më të ashpër të Kremlinit gjatë luftës dhe është i njohur për deklaratat nxitëse për konfliktin dhe sulmet për aleatët perëndimorë të Ukrainës. Kujtojmë se që prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, mijëra persona, civilë e ushtarakë kanë humbur jetën pas agresionit të pajustifikuar të Rusisë ndaj fqinjit të saj perëndimor.