Kandidati i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e kritikoi fjalimin e Presidentit Biden. Ai u shpreh në rrjetin ‘TruthSocial’ se fjalimi i “Mashtruesit Joe Biden në Zyrën Ovale mezi kuptohej dhe ishte shumë i dobët! Trump tha se, “Mashtruesi Joe Biden dhe gënjeshtarja Harris janë një turp i madh për Amerikën. Kurrë nuk kemi patur një periudhë si kjo”. Donald Trump ka ndjekur fjalimin e Joe Biden nga avioni i tij personal, ndërsa ka ironizuar presidentin amerikan. Në foton e parë, të realizuar nga fotografi i New York Times, Doug Mills, ish-presidenti shikon në një ekran televizori me vëmendje, ndërsa Joe Biden flet nga Zyra Ovale. Ndërsa në foton e dytë, nga këshilltari i tij Chris LaCivita ka publikuar foton e Trump, i cili ka kthyer shpinën nga Biden, në dukje i pashqetësuar për atë që ka për të thënë. Më pas LaCivita teksa ka publikuar foton, kujton thënien e Trumpit: “Joe, je pushuar nga puna!”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha herët të mërkurën se çdo aludim për dorëheqjen e Presidentit Biden nga posti i tij përpara zgjedhjeve, që do të mundësonte që zonja Harris të kandidonte si presidente në detyrë, ishte “qesharak”. Zëdhënësja Jean-Pierre tha se Presidenti Biden “nuk është penduar” për vendimin e tij për të qëndruar në garë për aq kohë sa qëndroi, apo për vendimin gjatë fundjavës për t’u tërhequr. Ajo tha se vendimi i Presidentit Biden nuk kishte të bënte me shëndetin e tij.