Pas tërheqjes së Joe Biden nga gara presidenciale në SHBA, demokratë të shquar po mbështesin Kamala Harris. Ka shanse Harris të fitojë?
“E vendosur. E patrembur. Këmbëngulëse. Në dritën e demokracisë sonë të kërcënuar dhe të ardhmes sonë të pasigurt, nuk ka njeri më të përshtatshëm për të kundërshtuar vizionin e errët të Donald Trump dhe për ta udhëhequr vendin tonë në një drejtim më të shëndetshëm”, shkroi Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom në Platformën X, i cili edhe vetë konsiderohej pasardhës i mundshëm i presidentit të SHBA-së Biden.
Edhe guvernatori i Pensilvanisë, një shtet kyç në garën presidenciale, Josh Shapiro, tha se do të bënte gjithçka për të mbështetur 59-vjeçaren Harris. Po ashtu edhe guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, bëri një deklaratë të ngjashme.
Demokratë të tjerë të shquar, si Sekretari i Transportit Pete Buttigieg, përfaqësuesja e krahut të majtë Alexandria Ocasio-Cortez si dhe Hillary dhe Bill Clinton kanë mbështetur gjithashtu Harris.
Ish-presidenti Barack Obama dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi shprehën më vonë respekt për vendimin e Biden për t’u tërhequr, por akoma nuk e kanë mbështetur Harris. Në mnyrë të ngjashme ka reaguar edhe guvernatori i Michiganit, Gretchen Whitmer, një shteti që konsiderohet i rëndësishëm dhe “luhatës”, ku demokratët ndonjëherë fitojnë e ndonjëherë fitojnë republikanët.
Qindra telefonata
Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Reuters, ekipi i Harris nisi menjëherë një fushatë për nominimin e saj nga Partia Demokratike, në vend të presidentit Biden. Ata bënë qindra telefonata të dielën për të siguruar mbështetjen e delegatëve për ofertën e saj presidenciale përpara konventës së Demokratëve në gusht. Edhe kryetarët e partisë në nivel të shteteve anëtre të SHBA pothuajse unanimisht miratuan Harrisin si kandidatet e re për presidente, në një konferencë përmes online.
“Jam e nderuar”
Para kësaj, Harris tha se donte të bëhej kandidatja e Partisë Demokrate. “Ndjehem e nderuar që kam mbështetjen e presidentit dhe synoj ta fitoj këtë nominim dhe garën për presidente”, tha ajo duke shtuar se do të bëjë gjithçka për të bashkuar Partinë Demokrate si dhe delegatët e Partisë Demokrate nga të gjitha shtetet në kongresin e partisë më 19 gusht në Çikago.
Miliona për Harris
Harris tashmë mund të mbështetet në ekipin e fushatës së Bidenit. Ekipi i tij i fushatës ka ndryshuar emrin në “Harris për President”. Në një e-mail, Biden u kërkoi mbështetësve të tij që të dhurojnë tani për fushatën e Harris.
Dhe duket se kjo ka dhënë rezultat: platforma e Partisë Demokrate për mbledhjen e fondeve tashmë ka mbledhur miliona dollarë donacione të vogla për fushatën e zëvendëspresidentes së SHBA-së Kamala Harris. Platforma “ActBlue” njoftoi se deri të dielën (21.07.2024) në mbrëmje në orën 21:00 (me orën lokale) ishin mbledhur 46.7 milionë dollarë.
Ekipi i fushatës së presidentit Joe Biden kishte më parë rreth 96 milionë dollarë të mbledhura. Komiteti Kombëtar Republikan (RNC) raportoi të ardhura nga fushata prej 102 milionë dollarësh në qershor.
Trump flet për “Kamala qesharake”
Nga ana tjetër, Trump tashmë ka nisur sulmet kundër Harrisit. Ai thotë se ajo do të jetë më e lehtë për t’u mposhtur se Biden. Në mitingun e tij të fushatës në Michigan të shtunën, ai e përqeshi zëvendëspresidenten si “Kamala qesharake”. “A e keni parë ndonjëherë të qeshë? Ajo është e çmendur!”, tha Trump.
Disa republikanë po kërkojnë edhe dorëheqjen e Biden si president. Ata që nuk janë të aftë mendërisht dhe fizikisht për të udhëhequr një fushatë, nuk mund ta udhëheqin as vendin, thonë ata.
E zbehtë dhe pa profil?
Kamala Harris filloi karrierën e saj profesionale si prokurore. Kur ishte në shkollë të mesme, mësoi se shoqja e saj më e mirë po abuzohej nga njerku i saj, siç tha Harris së fundmi në një tubim në Michigan. Ajo ftoi shoqen e saj të jetonte me familjen Harris, me pëlqimin e nënës së saj. Dhe më pas ajo vendosi të zgjidhte një profesion në të cilin mund të mbronte veçanërisht gratë dhe fëmijët nga dhuna.
Harris, mbrojtëse e grave, luftëtare për të drejtën e abortit
Administrata e Joe Biden dhe, në veçanti, ekipi i tij i fushatës e kanë identifikuar abortin si një çështje që mund t’i ndihmojë ata me votueset femra. Kjo është një temë që i përshtatet ish-prokurores së përgjithshme dhe prokurores së Kalifornisë.
Nuk është për t’u habitur, thotë shkencëtari politik Danny Hayes nga Universiteti George Washington. Secilit nënkryetar iu dhanë tema me të cilat presidenti nuk donte të merrej, që ishin komplekse dhe të vështira për t’u zgjidhur, ose politikisht joprofitabël.
Republikanët e fajësojnë për të gjitha
Harris u vu në krye të politikës së imigracionit nga Presidenti Biden – një çështje komplekse në të cilën të gjitha qeveritë e mëparshme kanë dështuar dhe në të cilën as Harris nuk ka arritur shumë. Për më tepër, për shkak të kësaj detyre të vështirë ajo ishte në shënjestër të kritikave.
Emigracioni është një temë shumë e ngarkuar emocionalisht në SHBA. Republikanët nuk pritën shumë për ta portretizuar Harrisin si personin përgjegjës për miliona emigrantë që ende hyjnë ilegalisht në vend. Ajo portretizohet si një grua e së majtës ekstreme që dëshiron të shkurtojë fondet e policisë dhe inkurajon kriminelët.
Rezultatet e sondazhit janë përmirësuar
Demokratët që venë në dyshim nëse Harris është me të vërtetë zgjedhja e duhur, tregojnë për përpjekjen e saj për të kandiduar në vitin 2020. Dështoi shpejt dhe pa lavdi. Paraqitjet e saj publike si “zëvendëspresidente” ndonjëherë duken të ngathëta. Ajo herë pas here bën gabime në zgjedhjen e fjalëve, ajo nuk është një oratore e pasionuar – dhe rezultatet e saj në sondazhe kanë qenë prej kohësh më të këqija se ato të Biden.
Por kjo po ndryshon tani. Rreth 60 për qind e mbështetësve demokratë besojnë se Harris mund të bëjë një punë të mirë në krye të shtetit, tregon një sondazh i ri. Harris, vajza e emigrantëve indiano-xhamaikanë, mund të fitojë mbështetje tek gratë me ngjyrë. Ky grup votuesish është jashtëzakonisht i rëndësishëm për demokratët. Por nëse Harris do të jetë në gjendje të mundë Trumpin apo nëse ka kandidatë edhe më të mirë është ende e paqartë.