Në filmin e tij më të fundit “Kinds of Kindness,” regjisori grek Yorgos Lanthimos (“Poor Things”, “The Lobster”) i rikthehet eksplorimit të guximshëm të natyrës njerëzore, duke u përqendruar kësaj here tek kufijtë ekstremë në të cilët arrijmë, të shtyrë nga nevoja për të qenë të pranuar e të dashur nga të tjerët.

Ndonëse një temë e dëshmuar shpesh në kinematografi, shumica e filmave priren ta trajtojnë atë nga këndvështrimi i padrejtësisë sociale apo i dëshpërimit të personazheve që nuk arrijnë të gjejnë vendin e tyre në botën që i rrethon, duke mbetur si rrjedhojë të izoluar në vetminë e tyre. Vetmia mund të vijë nga motive të brendshme sikurse tek filmi “Her,” ku personazhi kryesor Theodore Twombly është tepër i ndrojtur për të ndërtuar marrëdhënie romantike dhe dashurohet me asistenten e tij virtuale të sjellë në jetë përmes inteligjencës artificiale. “Her” e përkund shikuesin në një det të butë melankolie, valët e të cilit nuk arrijnë (ndoshta nuk duan) të bëhen shqetësuese. Një qasje krejt tjetër ka Martin Scorcese ndaj kësaj teme në filmin “Taxi Driver,” ku Travis Bickle (Robert Deniro) e projekton veten në rolin e heroit, i cili kërkon të shpëtojë Nju Jorkun e bashkë me të edhe veten e tij duke e pastruar nga çdo gjë që ai e percepton si të keqe. Ingmar Bergman tek “Winter Light” e trajton këtë mundim njerëzor në trajtën e konfliktit ekzistencial të pastorit Tomas Ericsson përballë Zotit dhe vetes. Duket, pra, sikur vetmia dhe ndjesia e përjashtimit në film s’mund të trajtohen veçse me nota melankolike ose në formën e personazheve të cilët, të bindur se kanë të drejtë mbi të tjerët, kërkojnë të vendosin drejtësi në mënyrë agresive. Në rastin e Bergman-it, dorëheqja është ajo çka sjell çlirimin.

Lanthimos, nga ana tjetër, zgjedh një qasje që është larg çdo sentimentalizmi. Personazhet e tij na shfaqen thuajse lakuriq (ndonjëherë me plot kuptimin e fjalës), pa mundur të fshehin tiparet më absurde të ekzistencës njerëzore. “Kinds of Kindness” vjen në formën e një triptiku që vërtiet rreth një burri, i cili përpiqet të rimarrë në kontroll jetën e tij; një oficer policie i bindur se bashkëshortja e tij është zëvendësuar nga një grua tjetër që i ngjan asaj vetëm fizkisht dhe një gruaje në kërkim të një personi me aftësi të mbinatyrshme. Në pamje të parë, i vetmi element narrativ që i bashkon të treja historitë është një personazh enigmatik i identifikuar me inicialet R.M.F. Çuditërisht, ky personazh nuk ka asnjë radhë dialogu dhe as luan ndonjë rol aktiv në shtyrjen përpara të secilës prej tre historive. Madje, në njërën prej tyre, R.M.F. është me plot kuptimin e fjalës, i vdekur.

“Kinds of Kindness” – Kur nevoja për pranim dhe dashuri na

“Vdekja e R.M.F”

Filmi i parë në këtë triptik përqëndrohet tek personazhi Robert Fletcher (Jesse Plemons), jeta e të cilit kontrollohet në çdo aspekt nga Rejmondi (Willem Dafoe), punëdhënësi i tij. Rejmondi vendos jo vetëm në lidhje me punën, por edhe për jetën intime të punonjësit të ti. Megjithatë, kësaj marrëdhënieje i vjen fundi kur Rejmondi e urdhëron punonjësin e tij të përplasë për vdekje me makinë pikërisht personazhin enigmatik R.M.F. Pasi dështon fillimisht në detyrën e caktuar, Roberti nuk pranon ta përsëritë atë, çka çon në shkarkimin e tij dhe braktisjen nga bashkëshortja pasi ajo zbulon se martesa e tyre nuk është fryt i ndonjë dashurie, por i shkuesisë së punëdhënësit të Robertit.

I dëshpëruar prej braktisjes nga e shoqja dhe punëdhënësi, Roberti lufton të dalë nga gjendja në të cilën ndodhet. Ai aplikon për punë me një tjetër punëdhënës, i cili më parë i lutej të bëhej pjesë e kompanisë së tij, por tani nuk denjon as ta takojë. Në bare dhe holle hotelesh, Roberti përpiqet të bjerë në syrin e klienteve të ndryshme gra, me shpresën se do të mund të ndërtojë prej aty një marrëdhënie të re romantike. Por, e vetmja grua që i jep pak vëmendje rezulton të jetë e punësuar prej pronarit të tij të dikurshëm për të çuar në fund misionin e vrasjes së R.M.F. I tmerruar nga ideja se shumë shpejt mund të zëvendësohet, Roberti vendos të bëjë të vetmen gjë, që mendonte se nuk do të mund ta bënte kurrë, të vrasë një person tjetër, vetëm e vetëm që të mund të pranohet sërish nga punëdhënësi i tij i dikurshëm.

Në këtë segment, Roberti ballafaqohet me një sistem kapitalist të pashpirt, ku marrëdhëniet personale kontrollohen nga interesat e punëdhënësit të tij. Përpjekjet e tij të dëshpëruara për të rifituar stabilitetin e humbur tregojnë se si nevoja e individit për të qenë i pranuar ose aprovuar nga ata që qëndrojnë mbi të, e shton trysninë për të ndërmarrë veprime ekstreme.

“R.M.F Fluturon”

Në filmin e dytë, një oficer policie i quajtur Daniel (Jesse Plemons) është i dëshpëruar nga zhdukja e bashkëshortes së tij, Liz (Emma Stone), një biologe detare e cila ka humbur në det. Një ditë ai merr lajmin se Liz është gjetur nga një pilot helikopteri, i cili s’është askush tjetër veçse engimatiku R.M.F. Por, Danieli vëren se e shoqja ka një sjellje të çuditshme, thuajse krejt të ndryshme nga koha përpara se të zhdukej, çka e shtyn atë të besojë se ajo nuk është i njëjti person. Ai fillon t’i kërkojë bashkëshortes një sërë sakrificash, që në fund çojnë në vdekjen e saj.

Duket sikur Lanthimos na vendos përballë absurditetin e marrëdhënieve tona, qoftë ehde ato më të natyrshmet, si dashuria dhe jeta bashkëshortore. Përse përballë tyre jemi gati të heqim dorë me vullnet të lirë nga liria individuale kur këtë të fundit e çmojmë mbi gjithçka? Përse është Liza aq e gatshme të sakrifikojë me dëshirë çdo gjë, madje edhe jetën e saj për një bashkëshort, i cili jo vetëm është larg të qenit i përsosur, por që duket se dita ditës humbet çdo tipar njerëzor? Përgjigjen Lanthimosi e jep sërish përmes absurdit, kur Liz i rrëfen të atit (Willem Dafoe) ëndrrën që ka parë gjatë kohës kur gjendej e zhdukur. Në ëndërr, bota drejtohej nga qentë, të cilët i trajtonin njerëzit si kafshë shtëpiake duke i ushqyer me ëmbëlsira, pasi ato gjendeshin me tepri, duke qenë se qentë nuk mund të hanë ëmbëlsira. Liza, e cila fillimisht i urrente ëmbëlsirat, është e detyruar të mësohet me to nëse do të mbijetojë. Ajo arrin kështu në përfundimin se është më mirë të pranosh atë çka gjendet vazhdimisht pranë teje, se sa në gjëra që sa vijnë e pakësohen. Danieli mund të mos jetë një bashkëshort i përsosur dhe, ndonëse sjellja e tij agresive teksa çmendet e bën të ngjajë më tepër me qentë e ëndrrës së Lizës, ajo në mënyrë absurde zgjedh më mirë të sakrifikojë për të se sa të përballet me rrezikun që mund të mos gjejë dikë tjetër.

R.M.F Ha Një Sanduiç

Pjesa e fundit e triptikut përqëndrohet tek Emili (Emma Stone) dhe Endrju (Jesse Plemons), anëtarë të një kulti, të cilët janë në kërkim të një gruaje me aftësinë për të ringjallur të vdekurit. Për shkak të përkushtimit ndaj udhëheqësit të kultit (Willem Dafoe) dhe kërkesës për pastërti absolute dhe mospatjes marrëdhënie me persona jashtë tij, Emili është larguar nga shtëpia duke braktisur bashkëshortin dhe vajzën. Ajo rikthehet herë pas here kur e bija dhe i shoqi nuk ndodhen aty. Skenat kur babai dhe vajza dalin dhe hyjnë në shtëpi përmbajnë një dozë trishtimi për shkak të vetmisë së tyre. Vendi i Emilisë në familje nuk është zënë nga dikush tjetër. Megjithatë, universi filmik i Lanthimosit qëndron i zhveshur si nga sentimentalizmi ashtu edhe nga leksionet morale. Ai nuk kërkon të na tregojë se cili prej personazheve ka të drejtë ose jo. Ata janë të gjithë tragjikisht komikë në rrethanat e tyre.

Gjatë një prej vizitave në shtëpi, Emili përballet padashur me vajzën dhe të shoqin, i cili e fton të kthehet në mbrëmje, qoftë edhe për një vizitë të shkurtër, pasi të dy i ka marrë malli për të. Emili pranon por, gjatë vizitës i shoqi i drogon pijen dhe e përdhunon kur ajo është pa ndjenja. Pas kësaj, ajo përjashtohet nga kulti. Ideja e mospërkitjes as në familje dhe as brenda kultit, duket se e tmerron Emilinë. E vendosur për të rifituar vendin e saj, ajo vendos të realizojë misionin e dikurshëm dhe të gjejë gruan me aftësinë për të ringjallur të vdekurit. Këtu shfaqet sërish R.M.F. Ai është kufoma mbi të cilën gruaja do të provojë aftësitë e saj të mbinatyrshme. Për ironi të fatit, gjatë kohës që Emili është duke e transportuar gruan drejt vendodhjes së anëtarëve të tjerë të kultit, ajo aksidentohet dhe gruaja vdes. I vetmi njeri që mund të risillte në jetë të vdekurit, tashmë gjendet për vete e vdekur. Këtu, kulti dhe përkushtimi absolut ndaj tij nxjerrin në pah absurditetin e ndjekjes së idealit të pastër dhe të paarritshëm.

Në thelb, Emili përfaqëson një tjetër formë të vetmisë dhe izolimit, atë të braktisjes dhe ndjenjës së mospërkitjes as në familje dhe as në komunitet. Mënyra se si ajo përballet me realitetin brutal të përdhunimit dhe përjashtimin vë në dukje dobësitë njerëzore dhe se si nevoja për pranim dhe përkitje e shtyn individin drejt akteve të pashpresa dhe shpesh të dëmshme ndaj vetes dhe të tjerëve.

Me “Kinds of Kindness”, Lanthimos e kthen pasqyrën kah individi dhe shoqëria, që ata të mund të shohin në të reflektimin e natyrës së tyre absurde. Përmes kombinimit të humorit të zi, tragjikes dhe narrativave komplekse, ai na sfidon të reflektojmë mbi mënyrën se si i ndërtojmë marrëdhëniet tona me të tjerët, duke treguar se sakrificat ekstreme që bëjmë (duke i quajtur shpesh si të natyrshme), për të qenë të pranuar dhe të dashur shpesh janë të paqarta dhe të ndërlikuara.

Regjisor: Yorgos Lanthimos
Skenarist: Efthimis Philppou
Aktorë: Jesse Plemons, Emma Stone, Willem Dafoe, Margaret Qualley, Mamoudou Athie
Kohëzgjatja: 2 orë e 44 minuta