Të dish të fitosh është një gjë, dhe të dish të festosh diçka tjetër. Kombëtarja e Argjentinës me të vërtetë triumfoi me meritë në Kupën e Amerikës, duke marrë titullin e 16-të rekord, por disa nga lojtarët e saj lanë nam me mënyrën sesi e kremtuan këtë sukses. Mesfushori i Çelsit, Enzo Fernandez, botoi në rrjetet sociale një video të këngës që u këndua në dhomën e zhveshjes pas suksesit në finalen ndaj Kolumbisë në Majemi. Kënga padyshim që është raciste dhe skandaloze dhe ka këto fjalë.
“Ata luajnë në Francë, por ata janë nga Angola, ata vrapojnë mirë, duan të flenë me transgjinorë, nënën e kanë nigeriane, babanë nga Kameruni, por pasaporta e tyre thotë franceze!” Ky krijim u dëgjua vitin e kaluar, I kënduar nga tifozët argjentinas pasi kombëtarja e tyre, me kapiten Lionel Mesin, fitoi Kupën e Botës në Katar.
Natyrisht, në atë kohë pati shumë reagime, dhe madje gazetari që ishte dëshmitar gjatë këndimit të saj u tha tifozëve se kjo gjë do të censurohej. Tashmë, këngën e kanë kënduar futbollistët dhe jo tifozët. Nuk dihet se çfarë ndëshkimi do të ketë nga Federata e Futbollit e Amerikës së Jugut dhe nga FIFA për Federatën e Argjentinës dhe kombëtaren e saj.