Kremlini tha se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër përdorimit të aseteve ruse në favor të Ukrainës, në atë që Kremlini e quajti sot planin e Bashkimit Europian për të financuar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha të hënën, se kësti i parë i ndihmës ushtarake për Ukrainën që arrin në 1.4 miliardë euro të mbledhura nga asetet e ngrira ruse do të paguhet në fillim të gushtit.
“Veprime të tilla nuk mund të mbeten pa reciprocitet,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Këto para jo vetëm që janë vjedhur efektivisht, por do të shpenzohen edhe për blerjen e armëve.
“Pa dyshim, ne do të shqyrtojmë ndjekjen e mundshme penale të atyre personave të përfshirë në marrjen dhe zbatimin e atyre vendimeve, sepse kjo është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, një shkelje e të drejtave pronësore.
Pasi Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ndaluan transaksionet me bankën qendrore të Rusisë dhe ministrinë e financave, duke ngrirë rreth 300 miliardë dollarë asete ruse në Perëndim.
Vendet e Bashkimit Europian po marrin interesin nga këto asete të ngrira, kryesisht obligacione dhe lloje të tjera borxhi në të cilat ka investuar banka qendrore ruse dhe po i vendosin ato në një fond të BE-së që do të përdoret për të ndihmuar Ukrainën.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se Perëndimi ka zhvilluar atë që ai e quan një luftë ekonomike kundër Rusisë, por pretendon si qëndrueshmërinë e ekonomisë ruse, e cila u rrit 3.6 për qind vitin e kaluar, ashtu edhe dështimin e sanksioneve që nuk kanë arritur të ndalojnë tregtinë ruse.
Kremlini ka thënë vazhdimisht se çdo sekuestrim i aseteve ruse ishte në kundërshtim me parimet e tregjeve të lira të përqafuara nga Perëndimi dhe do të minonte besimin në dollarin amerikan dhe euron, ndërsa do të dekurajonte investimet globale dhe do të minonte besimin në bankat qendrore perëndimore. Ministria e Jashtme ruse tha sot se Moska do t’i japë një përgjigje të ashpër ndaj përdorimit nga Europa të çdo të ardhure nga asetet ruse.