Është mbledhur për herë të dytë për ditën e sotme Komisioni i burgjeve, i cili do të vendosë mbi kërkesën e Fredi Belerit për të udhëtuar drejt Strasburgut, ku do të betohet në Parlamentin Evropian si eurodeputet.
Komisioni i Burgjeve është mbledhur një herë paraditen e sotme, ndërsa mësohet se grupi i punës është mbledhur edhe mbasdite.
Ende nuk është përcaktuar vendimi nëse do t’i jepet leja Belerit për të udhëtuar jashtë vendit dhe të marrë pjesë fizikisht në betimin e tij në PE.
Kujtojmë se kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ditën e djeshme tha për News24 se Fredi Beleri, i cili ndodhet në burgun e Fierit ku po vuan dënimin për blerje votash, e kishte marrë lejen dhe se do të udhëtonte të hënën në drejtim të Strasburgut, për të bërë betimin si eurodeputet i Demokracisë së Re në Greqi.
Por, kjo është mohuar nga Drejtoria e Burgjeve, e cila po në një reagim ditën e djeshme, tha se leja për Fredi Belerin nuk ishte konfirmuar.
Kujtojmë se Fredi Beleri është njëri nga eurodeputetët e Demokracia e Re, partisë së Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së.
Pak ditë më parë ai i bëri një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e PE, që do të mbahet më 15 korrik. Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.
Gjithsesi, arrestimi nuk e pengoi Belerin që të fitonte Bashkinë e Himarës, por detyrën e kryebashkiakut nuk arriti ta ushtronte, pasi nuk u lejua nga shkallët e gjyqësorit shqiptar që të betohej para Këshillit Bashkiak, sikundër përcaktohet në ligj.
Tashmë Beleri ka humbur funksionin si kryebashkiak i zgjedhur për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe në 4 gusht do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës. Para disa kohësh, pas një procesi me dritëhije, Gjykata e Posaçme e gjeti të drejtë kërkesën e SPAK-ut dhe shpalli fajtor kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës për korrupsion në zgjedhje, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes për proces të parregullt dhe të ndikuar politikisht.