Nga Endri Kajsiu
Gjatë ditës së sotme u njoftua një numër masash sigurie nga Prokuroria e Posaçme lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Menjëherë më pas, mediat pranë Partisë Demokratike akuzuan se operacioni ishte dekonspiruar me qëllim arratisjen e personave nën hetim. Për të qeshur në fakt, pasi akuza vjen nga të njëjtat media që dy javë më parë nxituan të shpërndanim lajmin për disa masa arresti që SPAK do të lëshonte lidhur me inceneratorin e Tiranës. Të njëjtat personazhe e media që e dekonspiruan operacionin asokohe, sot po akuzojnë çuditërisht për dekonspirim të aksionit.
Së dyti, po të njëjtat media pranë grupimit Berisha, asokohe nxorën lajmin se paratë e inceneratorëve kishin kaluar në Bullgari përmes lidhjeve me personazhe të medias apo familjarëve të kryebashkiakut të Tiranës që priteshin të arrestoheshin. Po të njëjtët, sot që SPAK lëshoi urdhër arrestet, nga ku duket qartë se akuzat e PD ishin një blof politik, po shkruajnë se SPAK-u po i zhduk qëllimisht dokumentet që kanë ardhur nga Bullgaria.
Pra ata që dje nxitonin dhe dekonspironin një operacion i cili sipas tyre kishte kapur në grackë personazhe me rëndësi në skemën e inceneratorëve, tani i vërsulen SPAK-ut me akuzën se po zhduk dosjet.
Me sa duket, dëshpërimi se akuzat e tyre po dalin blof njëra pas tjetrës, është aq i madh sa mungesa e koherencës në qëndrimet publike, po bëhet çdo ditë edhe më qesharake.
Në mbrëmje deklarojnë se SPAKU po kap “të mëdhenjtë” e inceneratorëve, dhe ditën ankohen se SPAK-u është organizata mafioze që po i zhduk dosjet. Një tjetër shembull se si opozita zvogëlohet çdo ditë në lojën e gënjeshtrave politike që nuk i përtyp më askush!