Është slogani që Garet Sauthgejt përdor shpesh në turnetë e mëdha për Anglinë: lojtarët janë në kufijtë e mbarimit të benzinës. “Kemi arritur limitet tona për shkak të gjendjes fizike. Ne thjesht nuk mund të bëjmë presing aq fort sa bëmë në kualifikuese”, tha ai, para raundit të 1/8-ave kundër Sllovakisë.
SHIFRAT – Shembujt kryesorë janë Xhud Bellingam dhe Herri Kejn. Qendërsulmuesi i mungoi edhe Bajernit në fund të sezonit për shkak të problemeve me shpinën. Sulmuesi i Realit, nga ana e tij, luajti 42 ndeshje për madrilenët këtë sezon dhe duke përfshirë ndeshjet ndërkombëtare, tani janë 49. 21-vjeçari tha pas ndeshjes së fundit në grup: “Pas ndeshjes me Slloveninë isha plotësisht i vdekur”. Eksperti i “Sky” Ditmar Haman tha: “Pas kualifikueseve, Bellingam ishte vetëm mesatar në vitin e ri. Në Ligën e Kampioneve ai u zhduk në çerekfinale, gjysmëfinale dhe madje edhe në finale”. Kundër Sllovakisë, Sauthgejt nuk i largoi të dy nga fusha në pjesën e dytë, edhe pse nuk kishin më fuqi. “Por Xhud dhe Herri janë gjithmonë të aftë për të bërë gjëra të tilla”, tha trajneri. Dhe kështu të dy u bënë shpëtimtarët e Anglisë. Por pas gjysmës së parë të shtesës ndeshja për ta përfundoi. Sauthgejt i dërgoi në stol: “Ata ishin të vetmit që nuk mund të vazhdonin më”, shpjegoi trajneri.
ZVICRA MË E FRESKËT – Zvicra ka shumë më pak ndeshje në këmbët e saj. Ndoshta ka të drejtë trajneri anglez me teorinë e tij të lodhjes. Nëse e merrni si një tjetër pikë referimi performancën e pafrymëzuar të superyjeve francezë dhe belgë, mund të pranojmë se trajneri i Anglisë ka të paktën pjesërisht të drejtë. Pjesërisht, sepse Spanja, Gjermania dhe Portugalia kanë dhënë shfaqje ekzaltuese. Edhe lojtarët e tyre gjithashtu kanë shumë ndeshje në këmbët e tyre. Por le të shkojmë më thellë dhe të shohim numrin e ndeshjeve të luajtura nga formacionet titullare të 1/8-ave të Anglisë, Francës dhe Zvicrës. Klasifikimi do të dukej kështu: Anglia 540 ndeshje (përfshirë ndeshjet ndërkombëtare, qofshin miqësore apo Kampionat Europian). Franca: 564, Zvicra: 475.
FODEN MË I SHTRYDHURI – Ajo që vihet re është se francezët kanë më shumë ndeshje të luajtura, me Uilliam Salibën e Arsenalit në krye (58 ndeshje). Anglezët luajtën 24 më pak, por ata kanë rekordmenin në radhët e tyre, i vetmi që luajti më shumë se 60 ndeshje këtë sezon (62): Fill Foden i Mançester Sitit. Ai dukej kaq i lodhur kundër Sllovakisë! Po Zvicra? Helvetët kanë shumë më pak ndeshje në këmbët e tyre. Së pari, kjo është për shkak të Bril Embolo, i cili ka luajtur vetëm nëntë herë për shkak të këputjes së ligamentit të kryqëzuar. Dhe më pas Fabian Rider (32) luajti relativisht pak për shkak të këmbës së tij të thyer dhe Ruben Vargas (39 ndeshje, nuk luante në Kupat e Europës). Sigurisht që është një arsye për freskinë e të dyve, të cilët ishin më të mirët kundër Italisë.
TRUKU I UNAZËS – Sauthgejt nuk po lë gur pa lëvizur. Vetë ai, por edhe lojtarët mbajnë në gishtin tregues të ashtuquajturën unazën inteligjente nga kompania “Oura”. Atë e mbajnë edhe ylli i modës Kim Kardashian dhe Princi Uilliam. Çfarë bën? Pjesa inteligjente monitoron gjumin dhe aktivitetin fizik. Konkretisht: “Oura” interpreton sinjalet më të rëndësishme të trupit në mënyrë që të përmirësoni mirëqenien tuaj të përditshme, nga gjumi te aktiviteti dhe stresi, deri te shëndeti i zemrës. “Pas ndeshjeve, ne ndonjëherë kthehemi në kampin tonë bazë në orën katër të natës. Ndoshta do të nxisë dikë të flejë përsëri”, tha Sauthgejt.