Momente tmerri në një qendër tregtare ishin ato të mëngjesit të sotëm në Itali.
Të shtëna të papritura mes njerëzve që bënin pazar apo që konsumonin kafe në lokale. Ora shënonte 10:30 kur dy banditë me fytyra të mbuluara hynë qendrën tregtare Roma Est. dhe qëlluan me armë, gjatë një grabitjeje.
Njerëz të frikësuar nisën të vraponin, ndërsa personeli i qendrës tentoi të mbyllte dyqanet dhe të ulte qepenat.
Bastisja kriminale ndodhi pasi dy banditë, me fytyrë të mbuluar dhe me armë në duar, hynë në dyqanin Gioielli di Valenza. Me theks të italishtes jugore kanë kërcënuar me armë shitëset e dyqanit. Pasi vodhën bizhuteritë që ndodheshin në vitrina, qëlluan të paktën dy herë me armë zjarri, ndërsa roja i sigurisë u përgjigj. Më pas ra alarmi: “Dukej si një skenë filmi. Panik total dhe kaos”, ishin fjalët e një dëshmitari. “Vizitorët vraponin nëpër korridore dhe sapo arritën në parkingjet, ishte një punonjës i qendrës tregtare që bërtiste dhe u thoshte të ngjiteshin në çati”, vijon ai.
Dy banditët janë ende në kërkim, pasi arritën të arratiseshin, braktisën makinën e përdorur për të shkuar në Romën Lindore, një Fiat Punto gri e vjedhur, në Via Luigi Crocco aty pranë. Hetuesit po hetojnë grabitjen së bashku me agjentët e qarkut të policisë VI Casilino, të cilët kanë marrë pamjet e kamerave në kërkim të elementëve të dobishëm, për të identifikuar banditët.