Nga Jakin Marena
Si rrallëherë këto vitet e fundit, Parlamenti shqiptar do t’i ketë të hapura dyert për dy ditë me radhë, për të votuar ndryshime ligjore dhe për të bërë punën e tij për të cilën ka marrë votën nga qytetarët.
Pa hyrë në shumë detaje se çfarë do të votohet këtë të premte, ia vlen të theksojmë se është gjë e mirë që më në fund, politika e të gjitha krahëve është pajtuar me faktin se dhuna dhe zjarri në Kuvend nga opozita gjatë seancave parlamentare nuk sjellin asnjë dobi. Si për politikën ashtu dhe për qytetarët shqiptarë.
E thënë më qartë dhe saktë, palët politike janë pajtuar me faktin se gjërat do të vijojnë të ecin në rrugën e së ardhmes siç janë tani, PS në mazhorancë e qeverisje jo vetëm për një mandat të katërt me Ramën kryeministër, por dhe për shumë mandate të tjerë sipas shumë gjasave, dhe një PD me Sali Berishën kryetar që do të mbajë fort vendin e dytë në ‘ranglistën’ e partive politike për një kohë të pacaktuar, dhe sikur bashkë me PL e Ilir Metës t’i bashkohen PD-së të gjitha partitë e tjera të vogla. Madje dhe Basha me gjithë ‘rekursin’ e tij në Apel.
Dhe kjo nuk është pak. Eshtë qetësuar fort situata politike, në këtë stinë të nxehtë, teksa deputetët e politikanët nxitojnë të mbyllin punët dhe hallet e tyre për të shijuar pushimet në plazhet e jugut, veriut apo jashtë vendit. Paratë nuk u mungojnë për hir të së vërtetës, as vilat e resortet.
Ndodh që ngrihet ndonjëherë ‘amplituda’ e përplasjeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe përballë bashkisë nga këshilltarët opozitarë apo dhe ata 30-40 veta që protestojnë për largimin e Erion Veliajt, pavarësisht se ende se kemi kuptuar se përse opozita ia kërkon pikërisht Veliajt lirimin e Sali Berishës nga arresti shtëpiak, duke protestuar dhunshëm para selisë së bashkisë. Apo dhe e akuzon Veliajn për tentativa aktesh ekstreme e deri veshje të jelekut anti-plumb, duke i vënë Erionit në kurriz gjëra që s’i takojnë. Por punë e tyre, megjithëse s’ka asnjë shpjegim.
Dhe si për t’i vënë ‘kapakun’ kësaj pune, PD gjen mundësinë e ‘forcën’ për t’u përballur ‘dhëmb për dhëmb’ me PS-në e mazhorancën, duke arritur ndryshimin në Kodin Zgjedhor. Duke prekur të vetmen pikë ‘nevralgjike’, që janë listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare.
Si gjithnjë, ‘falen’ tek Damiani, i cili me sa duket ka vënë ‘dorën në zemër’ duke bërë ‘sevap’ për PD e Berishën, e për pasojë dhe për bashkëkryetarin e tryezës Oerd Bylykbashi, e plotësuar pikën e vetme që PD kishte kërkuar, mos-hapjen e listave të kandidatëve në masën 100 përqind, por ruajtjen e një mase të caktuar të vendeve të para në atë që quhet listë e fiksuar, e barabartë me 1/3 e vendeve në çdo qark.
Dhe pas një seance maratonë të zhvilluar një ditë më parë, Kuvendi sërish u mblodh këtë të premte në një seancë plenare të ‘rrufeshme’ e të diskutueshme dhe nga vetë pjestarë të opozitës, ku në rendin e ditës është miratimi i Kodi i Ri Zgjedhor, ndryshimet e të cilit ndodhen pas dakordësisë mes PD-së dhe PS-së. Që gjithsesi nuk kaloi pa debate të forta nga brenda opozitës.
Dhe për të qënë konkretë, sipas ndryshimeve në ligjin për Kodin Zgjedhor lista e deputetëve nuk do të jetë tërësisht e hapur. 1/3 e saj do të jetë e mbyllur dhe ekskluzivitet i lidershipit të partisë që nuk i nënshtrohet votës preferenciale. Ndërsa kandidatët në 2/3 e listës do të luftojnë për të fituar qoftë edhe një votë më shumë se të tjerët, çka do t’i japë automatikisht të drejtën për t’u ngjitur në renditje e për të shpresuar në fitoren e mandatit. Me Kodin e Ri Zgjedhor tashmë iu hap rrugë dhe votimit të diasporës, një sukses jo i paktë ky. Dakordësinë mes PS e PD në një farë mase e diktoi dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që ishte detyrues.
Pse themi se Damiani bëri “sevap’ me Berishën dhe mbështetësit e tij, me këtë variant të Kodit Zgjedhor, ku vendet e para të listës së kandidatëve për deputetë në çdo qark janë emrat e fiksuar, dhe votohet thjeshtë për partinë, ndërsa pjesa tjetër votohet dhe për kandidatët preferencialë,
sepse me lista tërësisht të hapura, ‘delfinët’ e Berishës, duke filluar nga Flamur Noka e përfunduar tek Oerd Bylykbashi nuk fitonin kokërr vote në bazë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, e për pasojë mbeteshin jashtë Parlamentit. Që do ishte dramë për ta. Për shqiptarët nuk e dimë ende nëse do të përbënte dramë apo çlirim.
Ku t’i mbyste Berisha, praktikisht Mulin që e ka ‘shëtitur’ në të gjitha ‘kazatë’ e vendit për të kandiduar për deputet sepse nuk e do askush, apo Oerdin, i cili tërë familjen e ka kundër, apo Klevis Balliun që nuk fiton askund e deri tek Gaz Bardhi që i ka bërë vërtetë shërbime të vyera Berishës, por që nuk bën asnjë një ‘lek’ për të thithur vota në terren.
Ka shumë të tillë, të cilët Berisha kërkon t’i ‘sistemojë’ nëpër lista të sigurta, përfshirë dhe vajzën e tij Argita Berisha Malltezi me sa duket, e cila do trashëgojë PD-në, por dhe emra të tjerë që i kanë qëndruar afër në momentet e vështira të shpalljes ‘non grata’, arrestit shtëpiak dhe të akuzave të tjera, ku dosja e ’21 janarit’ me sa duket do të jetë dhe ‘groposja’ përfundimtare e tij. Nëse hetohet!
Pra, Berisha në kushtet kur vetë do ta ketë shumë të vështirë, të pamundur madje, për të shkelur në sallën e Parlamentit, listat gjysmë të mbyllura të kandidatëve për deputetë që për opozitën në këto kushte është tërë lista për çdo qark pasi kaq e ka takatin për të thithur vota dhe për të marrë mbështetje nga ana e elektoratit, do t’i shërbejë për të mbajtur ‘bërthamën’ e mbështetësve me në krye vajzën Argita në Kuvend. Për këtë gjë ka luftuar Berisha, jo për të ardhur në pushtet. Pasi është tërësisht i bindur se humb në zgjedhjet e vitit te ardhshëm, madje shumë thellë. Ndaj me këtë ndryshim Berisha istemon ithtarët e vet në Kuvend, por përmes listës së kandidatëve mban nën kontroll deri në zgjedhje, he grupin aktual të destabilizuar thjeshtë për një mandat deputeti.
Ndërsa PS ka qënë e qartë që në krye të herës, pasi ishte dakord dhe me listat e hapura tërësisht. Sepse e ka zgjidhur që në zgjedhjet e vitit 2021, ku të gjithë lidershipin e partisë me në krye Edi Ramën, i vendosi në qarqe afër fundit të listës, në pikën ku ndahej hyrja apo mos hyrja në Kuvend. Edi Rama ishte i 8-ti në listën me 12 emra në qarkun Vlorë si dhe Durrës, apo ish kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi që ishte i 10-ti në qarkun e Fierit, Pandeli Majko dhe Mimi Kodheli ishin përkatësisht në vendin e 19-të dhe 21-të në qarkun e Tiranës, Taulant Balla i 8-ti në listën e kandidatëve për qarkun e Elbasanit, Niko Peleshi i 6-ti në listën e kandidatëve në qarkun e Korçës, Blendi Klosi i 5-ti në listën e Beratit, Damian Gjiknuri i 7-ti në listën e Vlorës apo Blendi Çuçi i 3-ti në listën me 6 kandidatë të qarkut të Gjirokastrës. Ka dhe emra të tjerë, por s’po e mërzisim lexuesin duke i përmendur të gjithë.
PS i vuri të luftonin për çdo votë në zonën e ‘ftohtë’ të listave të kandidatëve për deputetë dhe të gjithë fituan. Madje një pjesë duke thyer ‘herësin’ sipas Kodit Zgjedhor, pjesa tjetër morën votat e domosdoshme në emër të PS për të qënë deputetë. Ia dolën, duke treguar se PS fiton në të gjitha rastet, por dhe favorizon emrat e rinj në listat e kandidatëve për deputetë, duke lënë ‘peshat e rënda’ në zonat e rrezikuara të listës për çdo qark. Ruan dhe raportet e përfaqësimit gjinor në Kuvend.
Ndërsa PD veproi ndryshe më 2021. Emrat e kupolës i vuri në radhët e para të listës, për të lënë në fund ata më pak të preferuarit. Dhe tani këmbënguli fort vetëm te listat e fiksuara, duke marrë dhe mbështetjen e PS për daljen me dy lista në zgjedhje: Një me lista të fiksuara dhe një me lista emrash të kandidatëve për të cilët do të duhet vota preferenciale e votuesve që të hyjnë në Kuvend. Dhe ata që kanë thyer ‘mesin’ për Berishën, por dhe ata kanë ‘gëlltitur’ akuzat e bëra më parë ndaj tij, shpresojnë të përfitojnë një vend në këto listat e fiksuara, që ishin ‘fiksimi’ i vetë Berishës dhe Bylykbashit. Ndaj tallej dhe Damiani, kur thoshte se opozita duhet të shpejtojë në dhënien e konsensusit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pasi përndryshe mazhoranca do të pranonte dhe do votonte vetë listat e hapura në masën 100 përqind.
Një ‘kërcënim’ i çuditshëm, që në realitet nxori në pah pikërisht atë për të cilin kishte luftuar fort Berisha dhe mbështetësit e tij: Jo për qëverinë teknike, jo për votimin elektronik në të gjithë vendin, jo për votat e diasporës, por vetëm për 1/3 e listave të mbyllura. Të cilat i mori dhe mirë bëri, pasi kaq e ka takatin, ndërsa mazhoranca mirë bëri që ia plotësoi dëshirën opozitës.
Për ilustrim, i bie që Tirana me 36 vende në Parlament, 12 kandidatë të jenë në listën e mbyllur, apo të fiksuar siç po quhet tashmë. Në këtë derenxhe ku ndodhet PD dhe opozita, as te numri 12 i deputetëve nuk arrijnë në Tiranë të gjithë bashkë. Ndaj janë të gjithë të mbyllur, emra të fiksuar duke filluar nga Noka e përfunduar te fort i lumturi Bylykbashi. Ndërsa këta të Bardhit ndjehen vërtetë të frikësuar, duke na garantuar fort se në të ardhmen do të na japin shfaqje të forta të spektaklit të ‘përthyerjes’ së ‘belit’ para Berishës për një vend në listën e kandidatëve të PD. Të fiksuar themi, sepse në listën preferenciale e kanë të sigurtë vendin jashtë Parlamentit.
I themi këtë sepse këta që lëvizin sipas ‘lavjerrësit’ politik, nuk kanë shpresë as te Lulzim Basha e rekursi i tij në Gjykatën e Lartë, pasi humbi vulën dhe logon e PD në gjykatën e Apelit, e cila ia dha Berishës tërë këto ‘asete’ përfshirë dhe godinën e lekët e partisë. Duke e lënë Bashën ‘thatë’ dhe pa parti.
Nuk e diskutojmë vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën dhe logon e PD dhe as për çështje të tjera, megjithëse Gjykata e Lartë i kërkoi gjykimin me themel të çështjes, dhe jo siç e ‘përdrodhi’ Apeli vendimin Zhukrit të Shkallës së Parë, dhe sa të drejtë kishte ai që i dha i pari vulën e logon e PD, Rithemelimit të Berishës. Madje mund të themi se Apeli ka arritur rekorde të forta në gjykimin e çështjeve që kanë lidhje me Berishën, mbështetësit e tij dhe PD në përgjithësi. Një ndër to është dhe rekordi i vënë me afatet e gjykimit të deputetit të PD Ervin Salianji për “Babalen’ e famshme. Ka 4 vite me këtë punë, ku është vënë ‘grafiku’ standard: herë sëmuret Salianji, herë avokati i tij, herë avokatët e grupit përgjues të “Babales’, herë prokurori dhe herë gjyqtari. Ka grafik të qartë për këtë punë, ka parashikime dhe se kur sëmuret robi, një javë apo një muaj para seancës së gjykimit.
Si në rastin e fundit. Kur u sërmur një avokat, që kishte qëndruar natën para seancës deri në 12 të natës në një ekran tekleviziv, duke debatuar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Bashkë dhe me Salianjin, në ekranin tjetër. Dhe të nesërmen, ‘ranë’ të sëmurë të dy, çështja u shty, për më vonë e kështu do vijojë. Do ta ‘hajë’ Salianji dhe pensionin me sa duket, pa bërë atë vitin burg që i dha gjykata e Faktit, me këtë grafikun e Apelit për parashikimin e sëmundjeve në çdo seancë. Siç po duken bathët themi. Dhe ironia është se Salianji po heton sistemin TIMS, ndërsa vetë zhduket në drejtim të paditur se herë që ka gjyqin në Apel.
Ndaj e themi me plot gojën që Berisha e të tijtë ta gëzojnë ‘sevapin’ e Damianit, ta gëzojnë listën e fiksuar të deputetëve të PD, demokratëve dhe opozitarë u themi ta gëzojnë opozitën dhe për shumë e shumë vite të tjera. Që jemi të bindur se kjo opozitë e gjatë e PD dhe aleatëve të saj do t’i shërbejë Shqipërisë, pasi mazhoranca aktuale e PS do ketë tërë kohën e duhur në dizpozicion për realizimin e projekteve madhore, të cilat janë bërë dhe po bëhen mirë në këtë vend.
Berisha familjarisht ka halle drejtësie dhe i duhet një ‘copë’ PD për mbrojtje, mbështetësit e tij kanë halle mandati dhe u duhet t’i bëjnë shumë ‘fresk’ Berishës, Basha ka halle Apeli, ndërsa Apeli ka halle parashikimi të sëmundjeve së subjekteve që po gjykon për çdo seancë si dhe koordinimin me ta sipas grafikut. Dhe të gjithë sëbashku kanë halle plazhi për momentin. Për t’u takuar andej nga vjeshta e mbrame e për të bërë politikë.