Presidenti amerikan Joe Biden vazhdoi edhe sot, në festën kombëtare amerikane të pavarësisë (4 korrik 1776), të shumëfishojë ndërhyrjet në përpjekje për të shuar zjarrin e nisur një javë më parë nga performanca e tij katastrofike gjatë një debati kundër Donald Trump.
“Unë isha keq në atë debat”, pranoi ai përsëri gjatë një interviste me një radio stacion lokal të Pensilvanisë të transmetuar sot në mëngjes.
”Por, 90 minuta në skenë nuk e fshijnë atë që kam bërë për tre vjet e gjysmë”, theksoi ai.
Presidenti demokrat, 81 vjeç, po përballet me thirrje në rritje për të tërhequr kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, për shkak të shqetësimeve serioze për gjendjen e tij fizike.
Por, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë kategorikisht dje mundësinë që ai të tërhiqej nga gara për një mandat të dytë.
”Presidenti absolutisht nuk po mendon të tërhiqet”, tha zëdhënësja e tij Karine Jean-Pierre.
“Kam bërë një gabim”, pranoi përsëri Joe Biden gjatë një interviste me një radio stacion lokal në Wisconsin.
”Por, ne do t’i fitojmë këto zgjedhje”, premtoi ai në këtë intervistë të regjistruar një ditë më parë.
Dje, presidenti u takua me udhëheqësit demokratë në Kongres dhe priti guvernatorët demokratë të disa shteteve amerikane. Më pas këta të fundit kanë konfirmuar mbështetjen e tyre.
“Ishte një bisedë e mirë me presidentin dhe zëvendëspresidenten sepse ajo ishte e sinqertë”, tha guvernatori i Maryland, Wes Moore.
“Ne thamë se do ta mbështesim atë”, shtoi ai.
Për Ditën e Pavarësisë, një festë e festuar nga familjet amerikane në të gjithë vendin, Joe Biden duhet të marrë pjesë në një ”barbecue party”, sot pasdite me ushtarët në Uashington, në shoqërinë e Zonjës së Parë, Jill Biden.
”Përkushtimi i ushtrisë na kujton se demokracia nuk është kurrë e garantuar – dhe se çdo brez duhet të luftojë për ta ruajtur atë”, shkroi sot në X Joe Biden, i cili rregullisht akuzon kundërshtarin e tij republikan Donald Trump se është një kërcënim për demokracinë.
Veprimet dhe gjestet më të vogla, si dhe toni i demokratit 81-vjeçar do të shqyrtohen më nga afër kur ai të flasë në mbrëmje, përpara se të marrë pjesë në fishekzjarrët tradicionale, të shoqëruar nga nënpresidentja e tij Kamala Harris, e cila vazhdon ta mbështesë pandërprerë në publik.
– Sondazhet alarmante –
Të premten, Joe Biden duhet të vazhdojë të përpiqet të qetësojë duke mbajtur një takim për fushatën në Madison, në shtetin vendimtar të Wisconsin, më pas duke dhënë një intervistë për kanalin televiziv ABC, i cili tashmë premton të jetë vendimtar.
Ai gjithashtu është planifikuar të mbajë një konferencë për shtyp javën e ardhshme.
Objektivi i këtyre ndërhyrjeve para shtypit është të provojë aftësinë e tij për t’u shprehur pa teleprompter dhe të shuajë dyshimin që ka lindur ditët e fundit për aftësinë e tij për të udhëhequr vendin edhe për katër vjet të tjera.
Dy deputetë demokratë kërkuan hapur këtë javë për të gjetur një kandidat më të fortë se Joe Biden për zgjedhjet presidenciale.
Gazetat e mëdha, duke përfshirë bordin editorial të ”New York Times”, kanë kërkuar gjithashtu që ai të tërhiqet.
Dy sondazhe të publikuara të mërkurën ringjallën krizën, duke raportuar një avantazh të qartë të zgjeruar nga Donald Trump në synimet e votimit në nivel kombëtar.
Vetë miliarderi republikan ka qëndruar mjaft i matur për disa ditë, duke e lënë krizën të përkeqësohet pa u shqetësuar për të ndërhyrë drejtpërdrejt.
Gjë që nuk e pengoi ekipin e tij të fushatës të shfrytëzonte rastin të mërkurën.
“Joe Biden është i dobët, i dështuar, i pandershëm dhe jo i denjë për Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, nga ana e saj, e justifikoi performancën katastrofike të Joe Biden gjatë debatit, si shikimi në hapësirë apo fjalitë konfuze…, pasi kishte marrë një të ftohur dhe kishte kryer shumë fluturime me avion.