Organizatorët e Javës së Modës në Ukrainë kanë njoftuar se sezoni i 55-të i këtij evenimenti do të zhvillohet në Kiev, hera e parë që kur Rusia pushtoi vendin më 24 shkurt 2022. Rreth 50 marka janë planifikuar të shfaqen në pasarelë.
Që kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e vendit fqinj Ukrainën pothuajse tre vjet më parë, më shumë se 30 000 ushtarë ukrainas kanë vdekur. “Ne kemi ende luftë dhe e ndiejmë luftën në të gjithë vendin. Jemi mësuar me të dhe duhet të jetojmë në këtë realitet luftarak. Është realiteti ynë i ri”, tha Lisa Ushcheka, drejtuese e komunikimeve ndërkombëtare për Javën e Modës në Ukrainë.
Masat mbrojtëse do të jenë në fuqi për të gjitha rastet. Arsenali Mystetskyi, për shembull, ku do të zhvillohen shumica e shfaqjeve, është i pajisur me strehë për bomba. “Sapo të dëgjojmë sirenën e sulmit ajror, të gjithë të ftuarve do t’u kërkohet të shkojnë në strehën e bombave”, tha Ushcheka.
Çdo markë pjesëmarrëse ka rënë dakord të bëjë një donacion për të blerë pajisje mjekësore specifike për të ndihmuar ata me lëndime të rënda dhe të pashërueshme. “Shpresojmë se do të jetë frymëzues për të gjithë botën”, tha Ushcheka. “Sepse është një ngjarje historike, një javë mode që zhvillohet në një vend ku po zhvillohet një luftë.”