Nga Aranit Muraçi
E vërteta ende e freskët për shqiptarët është se, megjithëse nga historianët mbetet e diskutueshme se si, Sali Berisha u vu në krye të protestave studentore dhe lëvizjeve politike që kërkonin ndryshim në 90’, me premtimin për t’ju kthyer shqiptarëve lirinë e munguar, po aq edhe të çmuar
E vërteta historike është se Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, kur iu solli vërtet lirinë shqiptarëve shekuj më parë duke mposhtur perandorinë më të fuqishme të kohës, pasi iu ishin mohuar të drejtat më themeltare, modestisht iu tha qytetarëve se “lirinë e gjeta këtu mes jush”.
Tingëllon ironike, por trashëgimtarët biologjikë dhe politikë të ish-kryeministrit të djathtë të cilët udhëhoqën protestat e fundit të opozitës duket sikur po i luten kryeministrit të majtë Edi Rama, në vend të pamundësisë së rrëzimit të tij, për të rrëzuar Erion Veliajn dhe drejtësinë e re, në këmbim të ‘lirisë’ së Sali Berishës.
Sikur drejtësia që kemi sot të ishte në duart e Edi Ramës, ashtu siç edhe ka qenë historikisht në duart e kujtdo që i ka sunduar trojet tona pas Skënderbeut, ose ashtu siç pretendohet politikisht, gati gjysma e kabinetit të kryeministrit aktual nuk do të kishte përfundur në qeli.
Drejtësia që gëzon sot Shqipëria është ngritur falë ShBA-ve, në vendin ku si familja e Presidentit Joe Biden (djali) ashtu edhe vetë ish-Presidenti dhe kandidati i së djathtës për President, Donald Trump, janë aktualisht në telashe të mëdha me drejtësinë e vendit të tyre.
Duhet luftuar në çdo kohë për lirinë ashtu siç na mësoi Skënderbeu shekuj më parë. Duhet të kesh të drejtë në çdo kohë për ta fituar atë. Drejtësia është tjetër gjë dhe liria tjetër histori. Bota e qytetëruar ka luftuar ndër shekuj dhe i gëzon të dyja sot, bashkë me mirëqenien e qytetarëve.
Ndërkohë demokracia në Shqipëri kërkon me urgjencë opozitën e saj, dhe nga ana tjetër shqiptarët vazhdojnë të ëndërrojnë për liri, garë të ndershme, drejtësi dhe demokraci, sfidat janë po aq të mëdha. Drejtësia e re dhe politika e vjetër (jo nga mosha e politikanëve) në Shqipëri do të jenë vazhdimisht në opozitë me njëra-tjetrën, i rifiton ose jo Donald Trump zgjedhjet në SHBA, do të zgjidhet ose jo Le Pen presidente në Francë apo do të rizgjidhet në Itali, Giorgia Meloni, kryeministrja mike e vendit fqinj dhe bashkëpunëtore e ngushtë e Edi Ramës. Pak rëndësi ka për drejtësinë e re se kush do ti fitojë zgjedhjet e 2025 në Shqipëri.