Bamir Topi i ftuar në “Breaking” është kthyer vite para, ku tregoi për pazarin e 2008 me ndryshimet kushtetuese, që ndodhën disa javë nga shpërthimi i Gërdecit më 15 mars 2008.
Ai shprehet se demokracia është rrënuar për shkak të Berishës.
Bamir Topi: Së pari vota e diasporës ka qenë një detyrim kushtetues, nuk është gjë tjetër veçse një implementim i Gjykatës Kushtetuese, pra në këtë pikë roli i Partive Demokratike në këtë pikë është zero, deri këtu nuk shoh asnjë gjë për të shënuar, kanë qenë të detyruar ta bëjnë. Pjesa tjetër është një konfirmim definitiv i asaj diagnoze që unë e kam vendosur që në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese.
Me pazarin e vitit 2008, i cili në atë kohë u bë në një kontekst specifik politik, ku hallin në atë kohë e kishte Berisha. Ata që e kanë harruar, jemi jo më larg sesa dy tre javë nga shpërthimi i Gërdecit, i 15 marsit 2008. Pushteti i Berishës në atë kohë precipitoi moralisht, ai vendosej para një rreziku të mocionit të besimit dhe në mënyrë fare të papritur u ra dakord që të bëhej një ndryshim i fortë kushtetues. Unë e lajmërova, gjërat janë në media, madje kam folur në atë kohë për Top Channel në 15 prill 2008 dhe kam paralajmëruar se çfarë do të ndodhë.
Sot ndodhemi në një fazë kritike, gati, gati të parikuperushme. Sot nëse e shikoj me syrin e një qytetari, politikani karriere, të një njeriu që ka shërbyer në strukturën më të lartë shtetërore, shikoj që sot demokracia në Shqipëri, jo se ka pasur ndonjë standard, por ka pasur shpresë se avancon, demokracia sot konsiderohet si një nocion i rrënuar.