Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin për Kodin Zgjedhor, duke propozuar edhe një ndryshim për përcaktimin e herësit në ndarjen e mandateve.

SHKRESA:
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
Në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,
bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Neni 24 riformulohet si vijon:
“Neni 24
Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë vendit
1. KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave
që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë
vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë
komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për
votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi.
3. KQZ–ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit
në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet
automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.
4. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së
brenda 60 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Neni 2
Neni 25 riformulohet si vijon:
“Neni 25
Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit
1. Zgjedhësi që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që
dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet
në listën e zgjedhësve jashtë vendit.
2. Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën
e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë
shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
3. Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së
zgjedhësve jashtë vendit fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para
kësaj date. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe
për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë.
4. KQZ, 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën e zgjedhësve që votojnë jashtë
territorit të Republikës së Shqipërisë.
5. Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit
të procedurës së regjistrimit sipas këtij neni, çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit
që shpallet sipas nenit 56 të këtij Kodi.
6. Në rastet e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme sipas nenit 9, pika 5, pika 6, pika 7 ose
pika 8 të këtij Kodi, Rregullatori përcakton me akt normativ afatet kohore për listën e
zgjedhësve dhe votimin e zgjedhësve me vendbanim jashtë territorit të Republikës së
Shqipërisë.
7. Rregullatori miraton aktet e nevojshme normative nënligjore për përbërësit e listës së
zgjedhësve jashtë vendit, si dhe modalitetet dhe rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj
liste. Dokumentacioni që kërkohet për të regjistruar vendbanimin e zgjedhësve që kanë
shprehur vullnetin për të votuar nga jashtë vendit është i njëjtë me atë të parashikuar në ligjin
“Për identifikimin e regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të
Republikës së Shqipërisë”.
8. Komisioneri dhe Ministri përgjegjës për gjendjen civile, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi
e këtij ligji, përcaktojnë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes KQZ-së dhe
Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për çregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë
territorit të Republikës së Shqipërisë në listën e zgjedhësve brenda vendit, si dhe regjistrimin e
adresës së tyre ne Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.”
Neni 3
Pas nenit 25 shtohet neni 25/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 25/1
Votimi nga jashtë vendit dhe rezultati zgjedhor
1. Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e
dokumentacionit të votimit dhe dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë
vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për
mbylljen e votimit në qendrat e votimit brenda vendit dhe vetëm kur zarfet me fletët e votimit
mbërrijnë në këtë orar në adresën e KQZ-së. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja
nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari.
2. KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor
dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve
për votimin jashtë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit
të Republikës së Shqipërisë.
3. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së,
nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit.
4. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit dhe të administruara numërohen në
ambientet e KQZ-së. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit në momentin e
mbërritjes në KQZ ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para
largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit dhe vlerësimit të tyre kryhet nga administrata e
KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Komisionieri
përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër
për administrimin, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij
neni.”
Neni 4
Neni 67, pika 3, fjalia e dytë dhe fjalia e tretë shfuqizohen.
Neni 5
Neni 162, pika 1, fjalia e dytë riformulohet si vijon:
“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose
koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.”
Neni 6
Neni 163, pika 3, riformulohet si vijon:
“3. Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më
të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Herësi i ndarjes së mandateve është numri që del nga
pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti
përkatës sipas nenit 162 të këtij Kodi dhe pjesëtuar me 1.5. Në çdo rast, herësi i ndarjes së
mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota. Në rast se herësi i ndarjes së mandateve
që përfitohet nga pjesëtimi si më lart është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri
i plotë më i afërt.”
Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Kryetare
Lindita Nikolla
RELACION PËR PROJEKTLIGJIN
“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008
“KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr. 28, datë 30.06.2021, ka vendosur:
“Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën.”
Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr. 31, datë 04.10.2021, ka vendosur:
“Shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të fjalisë së dytë të pikës 1 të nenit 162 të
Kodit Zgjedhor, të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me
kandidatët e propozuar nga partitë politike ose nga koalicion partish politike.”
Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr. 38, datë 09.12.2022, ka vendosur:
“1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
2. Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për
Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.
3. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti.”
Në zbatim të këtyre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese paraqiten për shqyrtim dhe për miratim
këto ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Është me rëndësi thelbësore të theksohet se ndërhyrja që propozohet në Kodin Zgjedhor prek
vetëm dispozitat që lidhen me vendimet e mësipërme të Gjykatës Kushtetuese, zbatimi i të
cilave përbën një detyrim për Ligjvënësin. Të gjitha rregullat e tjera “të lojës” në fushën e
zgjedhjeve mbeten të njëjta në formulime siç janë miratuar me konsensusin e gjerë të shumicës
së forcave politike në vend. ODIHR në një sërë raportesh për zgjedhjet e mbajtura në Shqipëri
ka theksuar se “Kushtetuta garanton liritë themelore, dhe pavarësisht disa paqartësive dhe
mospërputhjeve, Kodi Zgjedhor shërben si një bazë e përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve
demokratike.”
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me vendimin nr. 12, datë 10.02.2022, miratoi ngritjen e
Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për realizimin e reformës zgjedhore” dhe me vendimin
nr. 48/2022, miratoi anëtarësinë e tij. Objekti i punës së Komisionit ishte hartimi i ndryshimeve
legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimi i rekomandimeve të raporteve të
OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të pa trajtuara,
të rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare
dhe organizatave jofitimprurëse.
Bazuar në vendimin e Kuvendit nr. 12/2022, Komisioni do të ushtronte veprimtarinë e tij për
një periudhë 6 mujore, por ky afat u shty tre herë. Veprimtaria e Komisionit të Posaçëm
përfundoi në datën 21 mars 2024 pa mundur që të paraqiste në Kuvend tekstin e miratuar me
konsensus të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor aktual apo eventualisht një Kod i ri Zgjedhor.
Partitë politike pjesëmarrëse në Komision nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështje
dhe formulime konkrete të dispozitave të Kodit Zgjedhor, pavarësisht afatit të gjatë të
veprimtarisë së këtij Komisioni.
Përfaqësuesit e forcave politike në Komision për amendamentet e Kodit Zgjedhor kishin
qëndrime të kundërta dhe për pasojë ishte evidente mungesa e konsensusit dhe dialogut politik,
gjë e cila pas solli edhe përfundimin pa sukses të punës së këtij Komisioni.
Në vijim Kuvendi krijoi dhe institucionalizoi si strukturë brenda Komisionit të Çështjeve
Kushtetuese dhe Ligjore, një forum të ri Grupin e Dialogut, me qëllim që, ndër të tjera, të
adresonte dhe të mundësonte realizimin e reformës zgjedhore mbi bazën e prioriteteve të
mëparshme, të konsideruara dhe të gjithëpranuara nga forcat politike. Grupi i Dialogut për një
periudhë përafërsisht tre mujore ka ushtruar veprimtarinë e tij me objekt përgatitjen e
amendamenteve të Kodit Zgjedhor, por rezulton se prej tij nuk është gjetur dakortësia dhe
konsensusi politik për çështje dhe elementë të legjislacionit të zgjedhjeve në Shqipëri.
Sa më sipër, duke qenë se si Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhur ashtu edhe Grupi i
Dialogut nuk kanë mundur të përfundojnë me sukses veprimtarinë e tyre sepse nuk kanë
paraqitur asnjë projektligj në Kuvend, Grupi i Deputetëve nismëtarë ndërmerr këtë iniciativë
ligjvënëse.
Nenet 124, 132 dhe 145/2 të Kushtetutës shprehen qartësisht në lidhje me forcën detyruese të
vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi të gjitha organet kushtetuese, autoritetet publike dhe
gjykatat. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues; ato kanë fuqi
detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Ato përbëjnë jurisprudencë kushtetuese dhe
për rrjedhojë, kanë efektet e forcës së ligjit (Vendimi nr. 5, datë 07.02.2001 të Gjykatës
Kushtetuese). Asnjë organ tjetër me përjashtim të vetë Gjykatës (dhe kjo lidhet me ndryshimin
e praktikës apo rishikimin e Kushtetutës), nuk mund të mos pranojë t’i zbatojë ato. Roli i
Gjykatës qëndron pikërisht në fuqinë detyruese të vendimeve të saj. Formulimi që i ka dhënë
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë fuqisë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
përcakton autoritetin e këtij organi dhe është e vetmja mënyrë e pranueshme për zgjidhjen e
drejtë dhe përfundimtare të çështjeve me natyrë kushtetuese.
Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të
vendimit. Arsyetimi që përdor Gjykata në vendimet e saj buron nga autoriteti i saj për të thënë
fjalën e fundit në çështjet, për të cilat të tjerët tashmë janë shprehur. Në respekt të doktrinës
dhe të jurisprudencës kushtetuese Gjykata thekson se efekti detyrues shtrihet mbi argumentet
thelbësore të vendimit të saj që përbëjnë edhe ratio decidendi, eliminimi i të cilave do ta bënte
vendimin, në tërësinë e tij, të pakuptimtë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të Gjykatës
është i tillë që iu imponon të gjithë organeve shtetërore, duke mos përjashtuar as gjykatat,
fuqinë detyruese të arsyetimit të vendimit të saj. (Vendimi nr. 14, datë 03.06.2009).
Amendamentet e propozuara kanë si synim të rifomulojnë dispozita të caktuara të Kodit
Zgjedhor, në përputhje me arsyetimin dhe dispozitivin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
për Kodin Zgjedhor.
Veçanërisht për zbatimin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 38/2022, formulimi i
propozuar i neneve përkatëse mban parasysh edhe të gjithë dokumentacionin e paraqitur në
strukturat e Kuvendit, seancat dëgjimore të zhvilluara me partitë politike dhe OJF-të e
interesuara për votën e zgjedhësve me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si
dhe projektligjet që janë depozituar në Kuvend nga deputetë të ndryshëm. Parimi që reflekton
këto formulime është se në Kodin Zgjedhor, siç është bërë në rastin e votimit dhe numërimit
elektronik, duhet të gjejnë vend parimet dhe procedurat kryesore normative që për nga natyra
e tyre e kanë vendin në (ligj) Kod, ndërsa autorizohet KQZ-ja, brenda afateve të caktuara
kohore, të miratojë bazën e nevojshme nënligjore dhe me natyrë teknike për çdo aspekt të tij
dhe më pas ta implementojë atë me sukses.
Amendamentet e propozuara bëjnë riformulimin e nenit 163, pika 3, në zbatim të vendimit të
Gjykatës Kushtetuese nr. 28/2021. Riformulimi i kësaj pike respekton arsyetimin e dhënë në
këtë vendim në lidhje me proporcionalitetin e shifrës së herësit për ndarjen e mandateve brenda
të njëjtit subjekt zgjedhor sipas votës parapëlqyese të dhënë nga zgjedhësit.
Amendamentet e propozuara gjithashtu reflektojnë në Kodin Zgjedhor edhe vendimin e
Gjykatës Kushtetuese nr. 31/2021, i cili shfuqizoi pragun elektoral për kandidatë e pavarur që
ishte i njëjtë me atë të partive politike ose koalicioneve. Për kandidatët e pavarur pragu tashmë
është prag natyral në nivel zone zgjedhore.
Në përputhje me Opinionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe të ODIHR-it të datës
11 dhjetor 2020, i cili ka identifikuar qartazi si një formulim në kundërshtim me Kushtetutën
dhe standartet ndërkombëtare të zgjedhjeve formulimin në fuqi të nenit 67, pika 3, fjalia e dytë
dhe fjalia e tretë, këto fjali propozohet të shfuqizohen.
Duke marrë në konsideratë faktin se zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara të mbahen në vitin
2025 janë afër në kohë dhe gjithashtu institucioneve që merren me zgjedhjet do t’u duhet kohë
e nevojshme dhe e mjaftueshme për hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore në zbatim të
këtij ligji, propozohet që këto ndryshime ligjore të hyjnë në fuqi menjëherë dhe të botohen në
Fletoren Zyrtare. Për këtë gjë sigurisht Kuvendi ka detyrimin të zbatojë përcaktimet e nenit 84,
pika 4 të Kushtetutës për hyrjen në fuqi të ligjeve.