Drejtoresha e QSUNT-së, Alma Cani deklaroi sot “brakiterapia është një terapi që përdoret gjerësisht sot në botë”.
Gjatë seancës dëgjimore sot në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë lidhur me situatën në Spitalin Onkologjik në QSUNT, si dhe me gjetjet e Raportit të KLSH-së të vitit 2022 për sëmundjet tumorale me praninë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Cani deklaroi se pajisja e kobaltit që përdoret për terapi ndaj të sëmurëve me sëmundje malinje është e sigurt dhe nuk ka krijuar rrezikshmëri as për mjeket dhe as për pacientët.
“Ky lloj burimi ka avantazh për trajtimin dhe ka jetëgjatësi 5 vite. Është vendosur në punë edhe ortovoltazhi dhe po bëhet trajtimi i stafit për dhënien e dozave. Brenda muajit do të nisim me funksionimin dhe dhënien e terapive për pacientët. Protokollet e sigurisë ndaj rrezatimit janë ndjekur me përpikmëri duke ndjekur rrezatimet për gjithë personelin edhe përmes dozimetrave personale”, deklaroi drejtoresha e QSUNT-së.
Cani theksoi se siguria e stafit dhe pacientit është përherë prioritare ç’ka tregon përgjegjshmërinë institucionale.
“Matjet shihen nga specialistët dhe ka rezultuar se gjithmonë matjet kanë treguar nivele më të ulëta se norma”, nënvizoi ajo.
Niko Hyka, zv.ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se “në 2021 ka ardhur lënda radioaktive për t’u vendosur në kapsulën e pajisjes së vjetër të brankiterapisë. Kjo lëndë nuk mundej të vendosej te pajisja e vjetër dhe për këtë arsye Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka ofruar një pajisjes tjetër e cila ishte e dedikuar për vendosjen e lëndës radioaktive kobalt 60. Pajisja është marrë së bashku me kobaltin dhe është vendosur në një mjedis ku trajtohen tumoret me kobalt të jashtëm”.
Sa i përket deklaratave që personeli mjekësor është rrezatuar përtej dozave, zv.ministri Hyka e mohoi një gjë të tillë duke theksuar se “mjekët mbajnë dozimetra dhe nuk kanë kaluar limitet e dozës vjetore ose periodike dy-mujore që ata i masin dhe kjo është e dokumentuar edhe nga Instituti i Fizikës, edhe nga Zyra e Radiombrojtjes”.
“Ata që punojnë aty dhe vetë profesionistët e kuptojnë që një lënde e vendosur në një kapsulë dhe nuk qenë asnjë herë aktive, nuk ka dalë jashtë, sigurisht që nuk ka sesi të rrezatohet. Ajo ekspozon rrezatim vetëm në momentin kur implantohet tek pacienti”, deklaroi zv.ministri i Shëndetësisë.