Roma është padyshim një nga skuadrat më aktive në këtë merkato vere, teksa pasi humbi më shumë se 10 futbollistë nga sezoni i kaluar, ka “ndezur motorët” për të përforcuar organikën në dispozicion të De Rossit. Pas Sangare, Le Fee dhe portierit Ryan, verdhekuqtë kanë kompletuar edhe transferimin në kryeqytetin italian të anësorit 21-vjeçar suedez, Samuel Dahl. Ky i fundit luajti ndeshjen e fundit me Djugarden dhe mbërriti paraditen e të premtes në Romë, ku kreu testet mjekësore dhe pritet të firmosë për 5 sezone me verdhekuqtë.
Djugarden do të arkëtojë pak më shumë se 4 milionë euro për talentin 21-vjeçar, por në të njëjtën kohë, do të ketë edhe 10% të vlerës së kartonit, në rast rishitjeje të Dahl në të ardhmen.
Por asgjë nuk përfundon me kaq për Romën, që ka mbyllur marrëveshjen me argjentinasin Matias Soule. Ky i fundit pritet të zbarkojë në kryeqytet për testet mjekësore, para se të firmosë për 5 sezone me skuadrën e Romës, që nga ana tjetër do të paguajë 26 milionë euro plus 4 bonus për kartonin e tij.
Gjithashtu De Rossi ka arritur të bindë edhe sulmuesin ukrainas Artem Dovbyk që të transferohet te Roma. Ukrainasi, që ishte edhe golashënuesi më i mirë i La Ligas sezonin e kaluar, do të firmosë për 5 sezone te Roma, ku do të përfitojë një pagë prej 3.5 milionë eurosh, ndërsa Girona do të arkëtojë rreth 32 milionë euro për kartonin e tij.
Me këto afrime, skuadra verdhekuqe nis të marrë formë dhe këtë herë sipas dëshirave të trajnerit De Rossi, që do të ketë mundësinë të punojë me futbollistët që do, për të aplikuar më së miri idetë e tij.