Cristiano Ronaldo nuk është më i dikurshmi. 39-vjeçari portugez nuk po arrin të shënojë pavarësisht rasteve të shumta të paraqitura, 20 në total në këtë Europian.
Duket se shënjestra e tij është dobësuar madje edhe në një ndeshje të rëndësishme si ajo me Slloveninë që nuk pati gola në 120 minuta dhe u zgjidh vetëm te penalltitë.
Katër herë u përpoq të shënonte nga goditja standarde, por nuk ia doli, madje gaboi edhe te penalltia gjatë lojës.
Në turneun e 11 të rëndësishëm, mes Europianëve dhe Botërorëve nuk është më ai i pari, pasi të vetmin gol e realizoi te 11-metërshat që u goditën me Slloveninë pas pjesëve shtesë, por që nuk vlen për renditjen e golashënuesve. Në një ekip të ndërtuar rreth tij është shumë pak edhe një asist në takimin e fazës së grupeve me Turqinë.
Cristiano ka shënuar në të gjithë turnetë që ka marrë pjesë më parë, duke ndihmuar të dërgojë Portugalinë 4 herë në gjysmëfinale dhe 2 herë në finale. Franca do të jetë prova e tij e rëndësishme, nëse vlen ende ashtu siç thotë trajneri i portugezëve Roberto Martinez, apo Ronaldo e ka mbyllur misionin me përfaqësuesen.