Fluks i shtuar në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Lëvizjet më të shumta janë në hyrje nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë, aq sa mjetet janë të detyruara të presin në radhë për më shumë se 30 minuta.
Për të përballuar fluksin e dy ditëve të fundit policia shqiptare e ajo maqedonase punojnë me 4 sportele të përbashkëta, 3 për mjete të vogla e 1 për mjetet e tonazheve të rënda.
Burime pranë stacionit të policisë kufitare në Qafë-Thanë thanë se janë në gatishmëri edhe dy sportele të tjera, pasi pritet një fluks i shtuar në ditët në vazhdim.
Vetëm ditën e sotme nga kjo pikë kufitare kanë hyrë me tepër se 3800 shtetas të huaj, ndërkohë që një ditë më parë nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë kanë hyrë 5600 shtetas, ndërkohë që në tre ditët e fundit nga vendi fqinj në drejtim të vendit tonë kanë hyrë mbi 15 000 shtetas, të cilët shumica prej tyre kanë deklaruar se vijnë për pushime në bregdet.